Analistët politik, Arton Demhasaj si dhe Artan Murati kanë folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon këtë të drejtë.
Arton Demhasaj tha se nuk duhet të fajësohet Bashkimi Evropian për mungesë të liberalizimit të vizave, por institucionet vendore.
“Nuk duhet ta fajësojmë Bashkimin Evropian për mungesë të liberalizmit të vizave, por veten tonë, duhet t’i japim zor t’i plotësojmë kushtet që kanë mbetur”, tha Demhasaj.
Sipas tij, është e pakuptimtë që BE si strukturë nuk e njeh Kosovën.
Analisti Demhasaj rikujtoi se janë edhe pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, dhe kjo sipas tij është problematike.
Sipas tij, zvarritja e procesit të liberalizimit të vizave, vendosja e kushteve të vështira për Kosovën ka qenë e qëllimshme në mënyrë që të shtyhet çështja e liberalizimit, transmeton Telegrafi.
Por, analisti Artan Murati tha se Kosovës nuk i janë vënë më shumë kushte për ta shtyrë procesin, por sipas tij, BE vepron sipas asaj “learning by doing”.
Ai tha se këtë praktikë BE është duke e vu në funksion që sa vite, e që kur kanë praktika jo të mira me një shtet, atëherë ato kriteret shtesë i vendosin edhe për shtetet tjera që vijnë në proces, duke e rritur kështu numrin e kushteve.
Por, siç tha Murati, pavarësisht se kushtet e vështira për Kosovën nuk janë vënë me qëllim të zvarritjes së procesit të liberalizimit të vizave, është e vërtetë që Kosova kur e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave ka marrë 50 % më shumë kushte se shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se problem më tepër me Bashkimin Evropian sa i përket liberalizimit të vizave e sheh te shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, si me Gjeorgjinë e Ukrainën, që përkundur problemeve që kanë ato shtete si dhe përkundër problemit të madh të administrimit të territorit të tyre edhe ato shtete e marrin liberalizimin.
Murati në emisionin “Debat Plus”, tha se lidershipi kosovar e ka krijuar një trend të keq të dëgjueshmërisë absolute ndaj BE-së.
Ai tha se Qeveria e parë, pas shpalljes së pavarësisë, e udhëhequr nga Hashim Thaçi asnjëherë nuk ka ditë t’i thotë jo gjithçka që ka dalë nga BE dhe asnjëherë nuk është arritur të krijohet një lloj partneriteti me BE-në.