Me profesion është inxhinier, i shkolluar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, por që nga 19 nëntori është njëri nga deputetët më të rinj të Kuvendit të Kosovës, Qëndron Kastrati është edhe kryetari më i ri në moshë në tërë Kosovën, shkruan sot Gazeta “Zëri“.
Madje duket se kryetar komune më të ri se Kastrati nuk ka edhe në rajon, kryesisht shkaku i moshës së re e bën atë një “Sebastian Kurz të Kamenicës”, por ndoshta edhe të Ballkanit.
Kastrati është në fakt dy vjet më i ri se politikani austriak Sebastian Kurz, i cili në moshën 31-vjeçare u bë kancelar i Austrisë.
Mirëpo Kurz nisi politikën edhe më herët se kaq. Ai qysh në moshën 27-vjeçare arriti ta drejtojë Ministrinë e Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, shkruan tutje “Zëri“.
Gjithashtu edhe Kastrati fillet e politikës i nisi disa vite para se të zgjidhej kryetar komune.
Si 25-vjeçar u zgjodh deputet i Kuvendit të Prishtinës.
Në anën tjetër, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë për vitin 2017 njëzetenëntëvjeçari Qëndron Kastrati, që edhe adoleshencën e shkollimin parauniversitar i përfundoi në kryeqytet, arriti ta fitojë besimin e qytetarëve të Kamenicës.
Atje ai mblodhi rreth 55 për qind të votave e duke lënë kështu mbrapa kundërkandidatin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaip Surdullin, me 44 për qind të votave të banorëve të këtij qyteti, që zyrtarisht mban emrin Kamenicë.