Sejdiu: Do të bëj gjithçka që Gjykata Speciale të mos shfuqizohet

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë Kosovës është nëse Gjykata Speciale themelohet në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai ka thënë se shfuqizimi i këtyre Dhomave do ta kthente Kosovën në kohën e Rezolutës 1244.

“Të gjithë ndjejnë dhimbje shpirtërore sepse gjithë deputetët besojnë në luftën e ndershme që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe besojmë që këto Dhoma janë të padrejta, por fatkeqësisht ne jemi në një situatë tani ku kemi disa të këqija dhe e keqja më e vogël janë këto Dhoma. Përkundrazi, ne do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rezolutën 1244, në kohën para pavarësimit të Kosovës dhe miqtë tanë e kanë bërë shumë të qartë që pengesë ndaj kësaj Gjykatë nuk ka, ka vetëm vonesë me ç`rast do të bëhej edhe e keqja më e madhe e kjo është që kjo gjykatë të themelohej në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë ai.

Sejdiu është shprehur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet që të ndikojë në mos-shfuqizimin e Speciales, që sipas tij është iniciativë e paarsyeshme dhe e pavend.

Vendimin e Kryesisë së Kuvendit për ta dërguar Specialen në Qeveri, Sejdiu e sheh si çështje procedurale.

Por, ai ka thënë se në rast se merret vendimi për shfuqizim, atëherë do të shkatërrohej shtetësia e Kosovës.

“Është një vendim i dëmshëm për vendin dhe për qytetarët e saj por në aspektin procedural iniciativa e deputetëve në fakt nuk është jashtë procedurave të parapara me rregulloren e Kuvendit. Sikur të ishte reagim ndaj mesazheve të qarta që i kemi marrë, atëherë kjo iniciativë do të shuhej në tërësi e jo të procedohej tutje me procedura të parapame me rregullore. Unë jo vetëm me votë, por do të marrë çdo veprim për me qenë dhe me u deklarua kundër shfuqizimit të Dhomave të Specializuara, jo pse ato janë të mira, por tash nuk është momenti sepse janë këta që na i kanë sjellë vet këto Dhoma dhe kanë bë trysni në legjislaturën e kaluar dhe në momentin kohor kur kjo do të shkatërronte shtetësinë e Kosovës, këta po mundohen të marrin veprime të kundërta me ato që i kanë bërë para disa kohe kur e kanë bërë Gjykatën Speciale”, ka deklaruar ai për “Indeksonline”.

Sipas Sejdiut, shfuqizimi i Speciales do i prishë raportet e Republikës së Kosovës me miqtë ndërkombëtarë, andaj ka thënë ai, është e paarsyeshme që kjo iniciativë të vazhdohet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme