Sejdiu: Qeveria nuk merret me politika sociale-ekonomike

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka akuzuar qeverinë aktuale se nuk po merret me sistemin socialo-ekonomik në Kosovë, përcjell Zëri.info. Ai në një konferencë për media, duke folur për sistemin pensional në Kosovë, ka vlerësuar se problemi i pensioneve ka filluar të shfaqet sërish pas luftës.

“Është e qartë që kjo qeveri nuk merret me politika sociale ekonomike, por me një pastrim apo higjienë administrative me pretekstin tashmë mund të themi bajat, atë të reduktimit të shpenzimeve publike”, ka deklaruar ai në një konferencë për media.

Sipas tij, krejt këto probleme po vijnë si pasojë e mungesës së vullnetit politik në vend.

“Mungesa e dijes dhe e vullnetit politik për t’i zgjidhur disa prej problemeve më serioze të kësaj shoqërie që nga paslufta siç është çështja e pensioneve, ka filluar të shpërfaqet përsëri”, është shprehur Sejdiu.

Sejdiu tutje, ka vlerësuar se prej vitit 2001 deri më tash, ky sistem pensional ka qaluar dhe nuk është zhvilluar në asnjë formë të vetme.