Me një javë vonesë, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Serbisë Nikola Selakoviq, ka treguar për atë që i ka ndodhur në Mitrovicë të hënën e shkuar gjatë ndërhyrjes së njësiteve speciale të Policisë së Kosovë me ç’rast qe arrestuar e më pas deportuar për në Serbi Marko Gjuriq, transmeton Koha.net.
Më parë nuk ishte njoftuar që Selakoviq të ketë hyrë në Kosovë.
Duke rrëfyer për portalin e Beogradit “kurir”, Selakoviq ndërhyrjen e ka quajtur sulm të dhunshëm të specialëve ndërsa e ka akuzuar Prishtinën se nuk e ka pasur ndër mend t’i zbatojë detyrimet e veta nga Marrëveshja e Brukselit.
Sipas tij, qëllimi kryesor i aksionit ka qenë marrja e veriut.
“Askush normal dhe i arsyeshëm nuk ka mundur të parashohë se reagimi i pushtetmbajtësve shqiptarë do të ishte i tillë. Ngjarjet e tilla të kthjellojnë për të kuptuar se kë e keni para vetes”, tha ai.
Në pyetjen e se çfarë i shkonte ndër mend kur e kuptoi se po arrestohej Gjuriq, ai u përgjigj:
“Arrestimi i tij u bë para syve të mi. Na u afruan dy policë. Njëri e zuri për llërën e majtë Gjuriqin dhe e tërhoqi më vete e tjetri me pushkën drejtuar nga unë mbeti me detyrën që mos të lëvizja nga aty. Më pyeti a jam Selakoviqi, iu përgjigja po dhe unë munda vetëm ta shihja se si e lidhnin Gjuriqin. Më e rëndësishmja për mua ishte që të mos turpëroheshim dhe të mbeteshim me dinjitet”.
Selakoviq në vazhdim foli edhe për formimin e AKS-së duke thënë se ai nuk do të jetë OJQ siç po thotë Prishtina.