Gazetar: Mihailo Donev
Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit tre të dyshuarve për shitje të sekreteve zyrtare, dy prej të cilëve në cilësinë e ish policëve, shkruan Alsat.
Bëhet fjalë për Darko Grupçev dhe Ejup Akia, të cilët në periudhën kur ishin të punësuar në MPB, personave të ndjekur për veprimtari kriminale u kanë zbuluar se kur do të zhvillohen operacionet policore, kush janë dëshmitarët dhe çfarë operacione hetimore po ndërmerr policia.
I dyshuari i tretë është Oliver Petrov, i cili ka qenë lidhja me dy policët që i kanë dhanë informacione grupit kriminel nga Gërçeci i krijuar dhe udhëhequr nga Sheval Mauremi i cili është në kërkim ndërkombëtarë.
Sipas burimeve tona, Oliver Petrov është arrestuar pardje në pikën kufitare Tabanoc në përpjekje për t’u larguar nga vendi, pasi paraprakisht dyshohet se ishte njoftuar nga burime të tij brenda organeve hetuese se është dhënë urdhri për arrestimin e tij.
Burime brenda grupit hetimor thonë se të dyshuarit paraprakisht janë vendosur në “stop list” për shkak se organet e sigurisë kishin vlerësuar mundësinë e arratisjes së tyre.
Toshkovski nuk zbuloi nëse në hetim do të përfshihen edhe persona të tjerë nga shërbimet policore, por tha se tashmë janë siguruar prova të shumta mbi bazën e të cilave do të zgjerohet hetimi edhe në profile të tjera.
“Prokuroria për krim të organizuar ka sasi voluminoze të dëshmive për këtë rast. Të gjitha këto provat materiale që janë analizuar, janë marrë nga aplikacioni SKY/ECC që na është dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, kështu që mendoj se në të ardhmen do të ketë raste mjaft interesante për opinionin, që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Policia dje njoftoi se më 3 nëntor, në banesat e këtyre tre personave është kryer bastisje, gjatë të cilit janë gjetur dhe konfiskuar disa celularë, një laptop dhe dokumente të ndryshme.
Në periudhën nga dhjetori 2019 deri në mars 2021, tre të dyshuarit kanë qenë të lidhur me grupin kriminal nga Gërçeci, në të cilin kanë pasur rolin e dhënies së informacioneve zyrtare nga policia për hetimet aktuale penale me theks të veçantë në ofrimin e të dhënave nëse dhe kundër cilëve persona do të kryhen veprimet hetimore, posaçërisht për krimet e grupit të Gërçecit mbi vrasjet e kryera në periudhën 2019-2021 në territorin e qytetit të Shkupit.
Kanali i komunikimit ka qenë aplikacioni SKY/ECC përmes të cilit policia ka arritur t’i detektojë këta persona të cilët tashmë janë në paraburgim.
Nga bastisjet e bëra në shtëpitë e të dyshuarve është konstatuar se Darko Grupçev ka pasuri të patundshme aq të mëdha sa që nuk korrespondojnë me të ardhurat e tij si polic.
Para daljes në pension, Ejup Akia ka mbajtur disa pozita drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa pas pensionimit është bë kryetar i Shoqatës ndërkombëtare të policisë për Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, emri i Oliver Petrovit lidhet me shumë vepra të tjera penale, një prej të cilave është tentativa e vrasjes së djalit të ish-shefit të shërbimit të sigurisë, Zoran Verushevski, në vitin 2005./ Alsat.mk