Gazetare: Fatlume Dervishi
Miratimi i ndryshimeve të Kodit penal brenda natës dhe pa debat cilësor në opinion, për ekspertët është i dyshimtë. Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thotë se Kuvendi edhe një herë keqpërdori flamurin e Bashkimit Evropian për të miratuar ndryshime ligjore pa argumentim për lidhjen e tyre me dispozita të BE-së. Mes tjerash, Troshanovski thekson edhe probleme të tjera.
“Momenti i dytë është se ulja e dënimeve në kontekst të perceptimit dhe përvojës së qytetarëve për rritjen e korrupsionit në vend nënkupton shuarje të zjarrit me benzin. Politika e sanksioneve duhet të përforcohet që të dekurajohen sa më shumë aktorët potencial të veprave penale dhe jo e kundërta. E ul efikasitetin e luftës kundër korrupsionit. Dhe e treta, nëse kjo është pjesë e tregtisë me pushtet ose pazar politik, atëherë është ndoshta sulmi më i madh tek entuziazmi i qytetarëve dhe shpresa e njerëzve për përkushtim ndaj reformave dhe përmirësim të gjendjes në këtë vend”, deklaroi Marko troshanovski, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.
Komisioni për parandalimin e korrupsionit thotë se për ligje të këtilla të cilat janë shtyllë e sistemit të drejtësisë në vend, duhet të respektohen të gjitha fazat e shqyrtimit të mirëfilltë publik. Edhe Antikorrupsioni dallon përpjekje për pazare politike.
“Ulja e dënimeve në pjesët 353, 353v dhe 359 për bashkim kriminal vlerësojmë se nuk ndihmon në përforcimin e luftës kundër korrupsionit për përkundrazi ajo luftë mbetet deklarative. Aq më tepër Ministria e Drejtësisë deri tek ne dorëzoi kërkesë për të dhënë mendim për propozimin deri më 20 shtator. Tani, gjatë natës, me shpejtësi marramendëse e miratuan dhe vlerësojmë se kjo s’është në rregull. Ne shohim një rrezik të lartë të pazarit politik dhe të tregtisë me pushtet”, u shpreh Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit kundër korrupsionit.
Miratimi i ndryshimeve në Kodin penal u kritikua edhe nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, Instituti për Politika Evropiane, Instituti për të drejtat e njeriut, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Komiteti i Helsinkit dhe Qendra për analiza dhe hulumtime juridike. /Alsat.mk