Sekuestrohen armë dhe qindra fishekë në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Zubin Potok janë zbuluar tri shtëpi të pabanuara ku janë gjetur armë, municion dhe pajisje ushtarake.

Në rastin e parë, policia ka konfiskuar 432 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra dhe 18 fishekë të një kalibri të panjohur. Për rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitë kompetente.

Në rastin e dytë, në një tjetër shtëpi të pabanuar janë gjetur 204 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 56 gëzhoja, një bajonetë, një maskë ushtarake dhe tri pajisje ushtarake për ushqim. Me urdhër të prokurorit janë nisur hetimet.

Ndërkaq, në rastin e tretë janë sekuestruar një pushkë ajrore, 31 fishekë dhe disa para të vjetra jugosllave. Edhe për këtë rast prokurori është njoftuar, ndërsa policia po vazhdon hetimet.

Në Gjakovë, një person është arrestuar pasi, sipas policisë, duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, ka goditur një veturë zyrtare policore. Si pasojë e përplasjes, automjeti i Policisë ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një shtyllë elektrike.

Policia bëri të ditur se pas aksidentit i dyshuari tentoi të largohej në këmbë, por u ndalua nga zyrtarët policorë.

“Në vendin e ngjarjes tretman mjekësor pranuan zyrtarët policorë dhe personat e tjerë të lënduar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Një tjetër rast është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku gjatë kontrollit të bagazhit të një udhëtareje janë gjetur 13 fishekë gjahu, 20 gëzhoja të zbrazëta të fishekëve të gjahut dhe 245 saçme për fishekë gjahu.

Materialet janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit, pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar katër raste të hetimit mbi vdekje.

Në Prizren, një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Një rast tjetër është raportuar në Dragash, ku një burrë është gjetur pa shenja jete. Edhe në këtë rast, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Në Shtime, një person dyshohet se ka rënë nga një lartësi. Viktima u transportua fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku u konstatua vdekja. Me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme