Lideri i partisë opozitare shqiptare, Ziadin Sela, përmes një njoftimi në Facebook ka uruar të gjithë qytetarët për miratimin e propozimit francez.
Ai deklaron se me votimin e propozimit, u dëshmua se sa serioze janë partitë ne momente vendimtare për shtetin dhe rrugëtimin evropian.
Urimi i plotë:
“Partitë serioze, të përgjegjshme dhe të sinqerta shihen në ditët vendimtare, kur pa pazare, me dije, guxim dhe fytyrë të pastër, duke qenë edhe në opozitë sjellin vendime të rëndësishme e shpëtojnë procese vendimtare për të ardhmen e qytetarëve. Sot deputetët e Aleancës për Shqiptarët ishin vendimtarë në sigurimin e kuorumit të nevojshëm për miratimin e konkluzave për propozimin francez, që hap dyert e BE-së, të cilat ishin mbyllur për tre dekada. Ashtu si edhe në vitin 2017 kur mundësuam anëtarësimin në NATO edhe sot, dëshmuam se pushteti nuk na josh, e të qenurit në opozitë nuk na bën më pak përgjegjës, por përkundrazi, duke parë papërgjegjësinë e këtij pushteti i qëndruam besnik fjalës së dhënë qytetarëve tanë dhe amanetin e çuam në vend. Urime shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve, me të cilët bashkërisht arritëm deri këtu. Vazhdojmë përpara!”, thuhet në njoftim.
Propozimi francez u miratua me gjithsej 68 vota pro, ndërsa që nga pranimi i propozimit francez nga shteti i Maqedonisë, ASH u deklarua se do ta përkrah të njejtin.