Selimi: LDK-ja i ofroi Elbert Krasniqit një post ministri për një votë

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në “Raport” të KTV-së ka thënë se LDK-ja në të gjitha nivelet e saj, madje edhe Hoti, kanë tentuar ta bindin deputetin Elbert Krasniqi që t’iu bashkohet në tentimin e tyre për të krijuar qeverinë e re.E sipas tij LDK-ja i ka ofruar Krasniqit madje edhe një post ministri për vetëm një votë, porse edhe një ofertë të tillë Krasniqi sot e ka refuzuar.Krasniqi është pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, porse përfaqëson komunitetin egjiptian në Kosovë. Ai sot ka konfirmuar se ka refuzuar të gjitha ofertat nga partitë që duan të krijojnë një qeveri të re.

“Elbert Krasniqi është kryetar i një subjekti politik që përfaqëson komunitetin egjiptian, dhe qysh në fillim i është bashkuar Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Ka pasur thirrje të mëdha dhe të shpeshta për ta braktisur Vetëvendosjen dhe për t’iu bashkuar atyre në themelimin e Qeverisë së re. Por, ata s’mund ta marrin atë e edhe sot ai ka deklaruar publikisht se s’do të bashkohet me askënd. Ai më ka bërë të ditur se ka pasur oferta nga të gjitha nivelet e LDK-së e edhe nga Hoti, madje i është ofruar edhe një post ministri për një votë. Ai ka refuzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Selimi.

Tutje Selimi ka folur edhe për mos publikimin e letrës nga presidenti Thaçi për t’ia kërkuar mandatarin LDK-së.

“Deri më tani nuk janë bërë publike letrat apo dekreti. Dhe sikur t’i dërgohet letra atëherë nisin afatet. Dhe kjo ndoshta është njëra ndër arsyet. Sido që të jetë ne nuk do të heshtim. Njëra ndër gjërat që do të bëjmë është që ta dërgojmë në Kushtetuese, por po presim që të kemi edhe të shkruar diçka. Nuk do të jetë veprimi i vetëm sigurisht, por do të presim për të ardhmen”, ka thënë ai.

Sipas tij Kosovës ia ka shtuar LDK-ja edhe problemin politik, dhe “jemi i vetmi vend në botë që ka rrëzuar qeverinë”.

Ai ka shtuar se, “nuk kemi nevojë të jemi bashkë me askënd për të qenë ndryshe. Qytetarët e kanë mbështetur Vetëvendosjen për të quar PDK-në dhe aleatët e saj në opozitë. Nuk mendoj se është interesi i qytetarëve që ta mbështesim e bashkëpunojmë me PDK-në”, ka thënë Selimi.

Sipas tij kushdo që dëshiron ta udhëheqë Qeverinë duhet t’i kthehet sovranit, derisa thekson se Vetëvendosje ka përballë një ekip të humbësve.

“Dikush mendon se i takon të jetë në krye të qeverisë atëherë le ta kërkojë te sovrani. Cilado qeveri pa fituesin do të jetë një qeveri humbëse. Pra, Vetëvendosje ka përballë ekipin e humbësve. Ata po duan që të formojnë një qeveri të atyre që i kanë humbur zgjedhjet. Pra, LDK-ja i ka humbur zgjedhjet, ajo e ka pasur rastin të jetë fituese, porse ka zgjedhur të vazhdojë me humbësit. Ata po tentojnë të grabisin pushtetin. E di se në rrethanat që po flasim nuk ka kushte për zgjedhje”, ka thënë Selimi. “Askush nuk guxon t’i përjashtojë zgjedhjet. Janë bërë ata që nuk e kanë marrë mbështetjen e qytetarëve dhe e dimë se kë e kemi përballë, por e dimë edhe kë e kemi mbështetje”.

Tutje ai nuk ka dhënë përgjigje se si do të veprojë në raport me Vjosa Osmanin, të cilën e kishe propozuar Vetëvensoje për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

“Osmani ka qenë e propozuar nga Vetëvendosje, ne s’kemi biseduar për këtë me Osmanin dhe nuk është çështja kryesore dhe nuk është në fokus ajo çështje”, ka thënë Selimi.

Kurse në një lidhje direkte në “Raport” ishte edhe Albert Krasniqi nga KDI, i cili foli rreth situatës politike aktuale.

Ai thotë se presidenti duhet ta bëjë publike letrën përmes së cilës ia kërkon mandatarin LDK-së.

“Konsideroj se do të ishte e udhës që Presidenti të publikonte letrën për të kërkuar emrin nga LDK-ja”, ka thënë Selimi.

Sipas tij kjo do të duhej të kryej edhe më herët në mënyrë që t’i hapej rrugë edhe Vetëvendosjes që ta dërgojë në Kushtetuese këtë çështje, ashtu siç kanë paralajmëruar.

Ai thotë se tashmë ka nisur afati, pasi presidenti ka konsideruar se Vetëvendosje ka refuzuar që ta dërgojë emrin e mandatarit, e afati më i largët për krijimin e qeverisë së re do ishte 17 maji.

“Pra, më së largu deri më 2 duhet të kemi një përgjigje nga LDK-ja që të dërgojë emrin e kandidatit nëse ka një mandatar. Afatet më të largëta deri më 17 kur do të duhej të kishim një Qeveri të re, ose nëse kjo kontestohet në Kushtetuesja, përgjigja e saj mund të marrë kohë deri në një muaj. Por, kjo mund të bëhet edhe shumë më shpejtë në LDK-ja ka numrat”, ka thënë Krasniqi.

Selimi thotë se Thaçi e Vuçiq, nga bashkëbisedues u kthyen në bashkëpunëtorë

Deputeti Rexhep Selimi është i bindur se ka një plan mes presidentit të Kosovës Hashimi Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Sipas tij, kjo marrëveshje ndër të tjera parasheh edhe amnistimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia, me kush që siç tha Selimi, të amnistohet vet Thaçi nga Gjykata Speciale.Selimi i ftuar bë emisionin Raport të KTV-së, tha se Thaçi e Vuçiq nga bashkëbisedues që ishin janë kthyer në bashkëpunëtorë.

“Nga bashkëbisedues janë kthyer në bashkëpunëtorë, duke bashkëpunuar në një plan. Në sfond e kanë një kujdestar që ua nxjerr këto dhe për fat të keq tregohet se cili është plani. Marrëveshja, sipas kujdestarit të Thaçit, duhet t’i ketë tri elemente. Duhet të përfshijë Gjykatën speciale dhe zhbërjen e saj, pastaj amnistinë për të dy palët dhe, në fund zgjidhjen e çështjes së Veriut. Edhe në të parën, edhe në të dytën edhe në të tretën ai ngreh diçka, kjo duhet të jetë shqetësuese, më shumë se një deklaratë e një personi siç është Shkëlzen Gashi, që ishte këshilltar e sot nuk është më”, tha Selimi.

Ai nguli këmbë se Kosovës i kanoset një rrezik i madh nëse tentohet të finalizohet kjo marrëveshje. Selimi thotë se e gjitha po bëhet për të mirën e një njeriu.

“Jam shumë i sigurt që brenda kësaj ka një të vërtetë, por duhet ta konfirmoj se Thaçi pranon ta amnistojë Serbinë për të gjitha krimet me kushtin që të jetë i amnistuar nga Gjykata që e ka formuar vetë. Amnistia për të dy palët ka të bëjë me faljen e krimeve që kanë kryer serbët dhe me faljen e Thaçit nga Gjykata”, ka shtuar ai.

Foli edhe për deklarimet e mëhershme të Thaçit rreth kufijve, si përmirësimi i tij me Serbinë apo edhe shkëmbimi i territoreve.

Ai tha se shpëtim për Kosovën ishte fitorja e VV-së në zgjedhjet e fundit, por pati faktorë të tjerë që po duan t’ia marrin atë për të realizuar planin.

“Por ne nuk kemi plan tjetër, pos ta mbrojmë fitoren, pasi ajo është edhe e qytetarëve”, ka shtuar Selimi.

Selimi: Mocioni ndodhi për t’i hapur rrugë jobisedimeve – marrëveshjes me Serbinë, dhe mandatit të dytë të Thaçit
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në “Raport” të KTV-së ka thënë se mocioni ndaj Qeverisë Kurti ka ndodhur për t’i hapur rrugë marrëveshjes me Serbinë dhe mandatit të dytë të presidentit Hashim Thaçi.Ai thotë se LDK-ja ka ndryshuar qëndrim, dhe jo Albin Kurti.“Kushti për t’u tërhequr tarifa ka qenë kërkesë e Serbisë, dhe kjo është nga për dhe në favor të Serbisë. Këtë kusht e ka dhënë Vuçiqi e jo SHBA-ja, e pastaj në interes të bisedimeve ka ardhur edhe kjo nga SHBA-ja. Për përgjigje të kësaj Kurti kishte dhënë dhe ka zbatuar ato që kishte premtuar, se ajo do të zëvendësohej me reciprocitet. E madje për këtë kishim marrëveshje të shkruar edhe me LDK-në për këtë. Kjo tregon se ka ndryshuar LDK-ja e jo Kurti. Në fakt, qëllimi ishte mosvënia e reciprocitetit, e jo taksa. Presioni për të hequr tarifën më shumë në favor për të mos vënë reciprocitetin”, është shprehur Selimi.

Ai thotë se reciprocitetin e kanë mësuar nga shtetet e tjera, derisa thekson se nuk ka qenë befasi veprimet e LDK-së, pas letrës së Mustafës dërguar Kurtit.

“Këtë nuk e kemi shpikur ne, por kemi mësuar ndoshta edhe nga vet SHBA-ja apo shtetet e Evropës. Dhe erdhëm në situatën kur partneri jonë e ndryshoi mendjen, dhe nuk e di pse e bëri. Ndonëse ata e dinin se ekzistonte një plan. Pra, pas letrës së Mustafës se nuk do të mund të vazhdojë tutje kjo nuk ka qenë befasi, se pse ka ndryshuar ata mund të tregojnë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij as për tarifën, e as për Veliun nuk ka ndodhur mocioni, por pas saj qëndrojnë dy arsye.

“Si një hallkë po, mendoj se Qeveria ka shkuar në mocion për dy arsye kryesore: Për t’i hapur rrugë jobisedimeve, tarifa është kërkuar për t’i hapur rrugë marrëveshjes. Pra ata nuk kanë kërkuar që të vazhdohet dialogu, fjala dialog për ta ka nënkuptuar marrëveshje. Presidenti ka kërkuar që të tërhiqet tarifa dhe të nënshkruhet marrëveshja menjëherë. Arsyeja tjetër është ajo e mandatit të dytë të Thaçit”, ka thënë Selimi.

Pra, dy gjëra, sipas tij, s’kanë mundur të ndodhin me Qeverinë Kurti.

“S’ka mundur të ndodhë që Thaçi të marrë mandat të dytë dhe të arrihet marrëveshja. Këto janë arsye të mjaftueshme që Thaçi e Mustafa të merren vesh që t’i japin dhe t’i marrin njëri – tjetrit. Sot jemi në situatë kur LDK-ja i ka kërkuar mandatin, pavarësisht shkeljeve kushtetuese dhe në këmbim të kësaj t’i jepet Thaçit mandatin e dytë, dhe të dyja këto për arritjen e marrëveshjes”, është shprehur Selimi në “Raport”.

Sipas Selimit presidenti Thaçi po vazhdon ta shfrytëzojë Isa Mustafën dhe LDK-në që të vazhdojë mandatin dhe të arrijë marrëveshjen me Serbinë.

Ai thotë se Thaçi disa herë ka shkelur Kushtetutën, derisa sipas tij po tentohet që të shkelet ajo derisa të ndryshohet kur të arrihet një marrëveshje me Serbinë.

“Disa herë Thaçi ka shkelur Kushtetutën, tashmë është anashkaluar fituesi i zgjedhjeve. Këto letra nuk e zëvendësojnë procedurën që presidenti duhet ta ndjekë. Ai po vazhdon këto t’i zëvendësojë me disa letra. Këta e dinë se tashmë e kanë shkelur Kushtetutën, dhe këtë po mundojnë ta shkelin derisa të arrijnë te marrëveshja me Serbinë. Nëse këta arrijnë të suprimojnë Kushtetutën, derisa të arrijnë në cakun tjetër me marrëveshjen me Serbinë, pasi në një rast të tillë të marrëveshjes do të ndryshohej edhe Kushtetuta. Nga bashkëbisedues ata janë kthyer në bashkëpunëtorë të Vuçiqit”, ka thënë Selimi.

Selimi: Disa qarqe po bëhen kinse po merakosen për UÇK-në, por nuk ishin kështu kur asaj ia formuan Gjykatën Speciale

Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i ftuar në emisionin Raport në KTV, ka komentuar lajmin që bëri jehonë ditëve të fundit, përkatësisht deklaratat e ish-këshilltarit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, për UÇK-në.Selimi ka thënë se nuk pajtohet me ato deklarata, e as nuk është pajtuar më herët me qëndrimin e Gashit për këtë çështje.Sipas tij, ai nuk ka dashur të merret me të, meqë tha se epilog kësaj pune i dha Kurti me lirimin e Gashit nga detyra.

“Distanca ime faktike me Gashin ka qëndruar, duke mos qenë ai në asnjë pozitë në VV”, tha Selimi për mosreagimin e tij. “Gashi nuk i ka mbështetur as në statistika e as në fakte qëndrimet e tij, kjo nuk është hera e parë, as e dyta e as e treta. Por kësaj here ka marrë jehonë, pasi e bëri nga një platformë tjetër, si këshilltar i kryeministrit”.

Selimi tha se reagimi i qytetarëve dhe të tjerëve ishte i drejt, por shtoi se kjo u përdor edhe për poenë politike.

Sipas tij, opozita u merakos shumë kësaj radhe, e cila tha se u dëmtua imazhi i UÇK-së, por Selimi kujton edhe kohën kur kjo opozitë dikur e votoi formimin e Gjykatës Speciale.

“Disa qarqe tashmë bëhen sikur merakosen për UÇK-në, e nuk ishin kur u bë Gjykata Speciale. Ajo Gjykatë e cila po i thërret luftëtarët, po i heton, u ndërtua mbi një raport ku brenda atij UÇK-ja paragjykohet si organizatë që ka bërë krime deri në spastrim”, tha Selimi, duke sqaruar se mendon për oponencën politike.

Tutje ai foli për rastin e tij në këtë Gjykatë. Tha se nuk di deri në cilën fazë ka mbërritur çështja e tij.

“Unë kam dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale. Shkuarjen time e kam bërë publike. Atje puna po vazhdon, ka pasur të ftuar shumë para meje, por edhe pas meje. Nga pozicionimi im nuk mund ta di në cilën fazë janë hetimet apo procedurat. S’kam mbrojtës, pasi besoj se nuk kam nevojë për avokat, meqë para se të jem unë i ftuar apo i paragjykuar, e paragjykuar është UÇK-ja, para se të jem një avokat i mirë për vete, do të mbrojë UÇK-në. Nuk do të ndalem asnjëherë së mbrojturi luftën e UÇK-së, pasi ajo ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër”, tha Selimi në emisionin Raport.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme