Funksionarët e BDI-së vazhdojnë ta kenë sjelljen e njëjtë ndaj medieve kritike në gjuhën shqipe dhe nuk ka ndryshuar asgjë nga debati i fundit i mbajtur në Qeveri. Kështu tha kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, në debatin me temë “Sfidat e Qeverisë dhe institucioneve në rritjen e transparencës para medieve dhe qytetarëve”. Ai shtoi se funksionarët e BDI-së vazhdojnë t’i injorojnë mediat kritike në gjuhën shqipe dhe t’i satanizojnë në sytë e opinionit si tradhtare.
NASER SELMANI, KRYETAR I SHGM-SË
“Funksionarët e BDI-së në pushtet nuk kanë asnjë problem të japin deklarata dhe intervista për mediat në gjuhën maqedonase, qofshin edhe ato më kritike, për shkak se shpresojnë se kritika e tyre në opinion lehtësisht do të mund ta spinojnë, për gjoja anshmëri etnike të kolegëve të mi maqedonas. Por, atyre më së shumti ju dhemb kritika e medieve në gjuhën shqipe, siç edhe e pranojnë publikisht”.
Nga ana tjetër, ministri pa resor në Qeveri i ngarkuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, Robert Popovski tha se Qeveria po punon në drejtim të përmirësimit të transparencës së funksionarëve shtetëror, ngase sipas tij, transparenca do të thotë edhe qeverisje e përgjegjshme.
ROBERT POPOVSKI, MINISTËR PËR KOMUNIKIME
“Ka situata kur për shkak ndonjë arsyeje dikush nuk ka shkuar në debat, ka ndodhur që dikush të mos ketë mundësi për të shkuar në debat, por këto janë raste të izoluara të cilat do t’i analizojmë në të ardhmen dhe do të tentojmë që të mos ketë paraqitje të tilla. Nëse ndonjë funksionar nuk mund të shkojë, ka kush e zëvendëson dhe këtu nuk mund të ketë dilema.
Gazetarja Sashka Cvetkovska e cila ishte prezent në debat, tha se ka përmirësime në transparencën e institucioneve për dallim nga qeveria e kaluar, por se ka ministra dhe institucione që nuk komunikojnë dhe hidhërohen kur ju parashtrohet pyetje të komplikuara.
SASHKA CVETKOVSKA, GAZETARE
“Nëse puna jonë, ajo që ne e bëjmë, nuk nxit procese të përgjegjësisë, të shohim më në fund edhe ne ndonjë dorëheqje, ndonjë hetim, atëherë cila është poenta e medieve. Si ne do ta luajmë rolin tonë të korrigjuesit të qeverisë. Ne duhet t’i detyrojmë institucionet të jenë të përgjegjshme”
Më tej gjatë debatit u tha se përderisa nuk do të ketë përgjegjësi për veprimet e bëra nga funksionarët, të kota do të jenë thirrjet dhe përpjekjet për transparencë. Enis Murtezi /SHENJA