Përfaqësuesit e komunave serbe të Kosovës pas një mbledhje që është mbajtur sot në veriun e Mitrovicës kanë dalë me tri propozime. Ata u kanë dhënë tri javë afat institucioneve të Kosovës që ta nisin formimin e Asociacionit, në të kundërtën atë do ta bëjnë vet një gjë të tillë.
Kërkesë tjetër e tyre është dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe drejtorit të Policisë.
Në këtë pikë ata kanë kërkuar edhe dënimin e, siç u tha, të gjithë atyre që kanë ushtruar dhunë të hënën kur u arrestua drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ndërsa kërkesa e tretë e dal nga ky takim është apeli për institucionet e sigurisë, KFOR dhe EULEX që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë “që ta mbrojnë popullin serb në këto hapësira”.
Kjo mbledhje ka ardhur pas arrestimit të Gjuriqit, veprim që nxiti serbët të paralajmërojnë tërheqjen nga Qeveria dhe të kërcënojnë se do ta shpallin njëanshëm AKS’në.
Dje, zyrtarët e Listës Serbe kishin paralajmëruar për sot formimin e AKS’së, por në takimin e sotëm në Mitrovicë një gjë e tillë vetëm iu dërgua si ultimatum qeverisë kosovare. /gazetametro.net