Drafti e identifikon si sfidë kryesore për sigurinë e vendit pikërisht “pretendimin territorial të Serbisë ndaj Kosovës”. Ai u miratua në Komision me votat e pesë anëtarëve të pranishëm nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet; dy nga partitë opozitare votuan kundër, ndërsa një abstenoi, ndërsa tashmë ka kaluar për procedim në Kuvend. Zv/kryetari i komisionit, Enver Dugolli thotë se dokumenti përfshin të gjitha aspektet e sfidave të sigurisë në Kosovë. “…sidomos të rreziqeve që burojnë nga shteti fqinj, Serbia.
Në këtë strategji identifikohet saktë rreziku kryesor që i kanoset shtetit. Për mendimin tim, kjo është një pikë shumë reale dhe e studiuar mirë”, shprehet ai. Shërbimi ushtarak është gjithashtu premtim elektoral i përfshirë në strategji. në një pjesë të Draft-Strategjisë flitet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e në të cilën thuhet se “FSK-ja vazhdimisht do të rishikojë strukturën organizative të saj, për t’iu përshtatur kohës dhe detyrave që dalin në funksion të realizimit dhe ruajtjes së interesave vitalë shtetërorë”.



