Serbia e mbuluar me krime – ja pse paralajmërohet dështimi i padisë ndaj Vuçiqit

Ditë më parë, është ngritur kallëzim penal ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, shkruan “Bota sot”.

Ishte nënkryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq ai që dërgoi kallëzimet penale në Prokurori.

Ndonëse, Aleksandër Vuçiq më herët kishte paralajmëruar se do të paraqesë një kallëzim penal kundër vetes për shkak të akuzave se ka bashkëpunuar me një rrjet të krimit të organizuar.

Bashkë partiaku i Vuçiqit, Vuçeviq njoftoi se kallëzimi penal përmban akuzat “të publikuara pjesërisht në media, dhe pjesërisht nga përfaqësuesit e ish-regjimit (opozitës)”, të cilat ndërlidhin presidentin e Serbisë dhe ministrin Vulin me grupin e Veljko Bellivukut.

“Ne po i kërkojmë prokurorisë kompetente që të vërtetojë të gjitha faktet dhe t’i ofrojë publikut përgjigjen që meriton”, potencoi Vuçeviq.

Kurse, presidenti Vuçiq u shpreh i gatshëm për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë rast.

“Unë jam gati të merrem në pyetje, të jem i lidhur në poligraf, për të kuptuar nëse kam gënjyer ndonjë fjali apo jo. Unë jam i sigurt se për këtë është i gatshëm edhe Vulin”, u tha Vuçiq gazetarëve në Beograd më 3 gusht.

Ndërsa, njohësit e çështjeve juridike për gazetën “Bota sot” treguan prapavijën e padisë së ngritur ndaj Vuçiqit dhe Vulinit.

Ata përmenden edhe ndikimin e kësaj padi në raportet Kosovë-Serbi.

Kelmendi: Shteti serb është i përgatitur për dhunë kriminale!

Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se padia e ngritur ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe ministrit Vulin, nuk është shenjë që Serbia po shkëputet nga e kaluara e saj.

Sipas tij, padia ndaj këtyre dy udhëheqësve serbë nuk do të ketë përfundim juridik.

“Nuk mendoj se në kuadër të ndërtimit të shtetit të së drejtës se Serbia është në rrugën e duhur juridike. Padia kundër kriminelëve Vuçiq e Vulin nuk tregon se ky shtet u nda nga e kaluara dhe se po ndërton drejtësi për të gjithë. Nga kjo padi nuk ka ndonjë përfundim juridik. Kjo për faktin se edhe juridikisht nga pozita që kanë mbrojtje juridike Vuçiq e Vulin në proces”, deklaroi Kelmendi.

Gjithashtu, profesori beson se padia kishte për qëllim vetëm për ta paraqitur Serbinë si një shtet të së drejtës, mirëpo që në fund nuk do të ketë drejtësi.

“Në anën tjetër, padia e tillë ka për qëllim për të treguar se në Serbi është shteti i së drejtës dhe se nga ndjekjet dhe përgjegjësit penale nuk është i përjashtuar as kreu i shtetit. Sido kudo mbetet të shihet përfundimi dhe ky përfundim nuk mendoj se ka me pas drejtësi”, theksoi ai.

Në vazhdim, Kelmendi potencoi se Serbia nuk funksionon si shtet juridik dhe është larg një qëllimi të tillë, pasi nuk ndjek kriminelët e luftës.

“Shteti serb është çdo gjë dhe asgjë juridike, nuk ka drejtësi dhe fare nuk mendohet se shteti juridik funksionon. Serbia është shumë larg këtij qëllimi dhe këtij i duhet punë e madhe për të ndërtuar shtetin juridik. Gjithë kohën sa nuk ndiqen edhe kriminelët e luftës dhe si shtet nuk vepron në gjetjen dhe rehabilitimin e të zhdukurve, drejtësia është larg”, nënvizoi juristi.

Tutje, ai tregoi se në shtetin serb veprojnë shumë organizata kriminale, ku krimi e përcakton politikën, raportet e jashtme dhe pretendimet territoriale.

“Në Serbi ka mjaftë shumë organizata kriminale, ato janë shumë të ngulitura në shtet dhe e ka vështirë shteti të ndahet nga ato. Krimi dhe kriminaliteti sundon, ai e përcakton politikën, ekonominë, raportet e jashtme dhe pretendimet territorial”, shpjegoi Kelmendi.

Në fund, tha se në politikën e Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën sundon dhuna dhe forca.

“Për këto interesa shkojnë edhe në dhunë shtetërore, është në politikën e shtetit, në raportet me shqiptarët dhe me Kosovën sundon dhuna. Serbia vepron kudo ku ka mundësi me dhunë ndaj çdo kujt që cenon interesat dhe pikëpamjet serbomëdha. Ata i nënshtrohen vetëm forcës”, përmbylli Muhamet Kelmendi.

Burjani: Akuzat ndaj Vuçiqit gërshetohen me krime dhe hajni

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani tha se kjo është një çështje e brendshme e Serbisë, e cila është shumë komplekse.

Gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, ai tha se kjo është një luftë politike që po ndodhë në Serbi, ku opozita serbe është tejet e dobët në raport me Vuçiqin.

“Jo, kjo është çështje serbe e brendshme, që është komplekse kudo në shtetet e Ballkanit. Kjo është luftë politike, që po ndodhë në Serbi, edhe kjo po dihet kaherë , fatkeqësisht opozita në Serbi është e dobët në krahasim me Vuçiqin, ndërsa për të gjitha temat tjera kjo mbetet çështje serbe, nuk ka asgjë pozitive e as negative në raport me Kosovën”, deklaroi Burjani.

Tutje, ai tha se akuzat ndaj presidentit serb duhet zbardhur, mirëpo dihet se Serbia dhe shtetet e Ballkanit kanë problem të mëdha me ligjin, ku politika funksionon me krime dhe hajni.

“Akuzat në Serbi duhet të zbardhen atje si ndaj Vuçiqit, siç dihet Ballkani dhe politika gjithmonë gërshetohen me krime dhe hajni. Këto shtete funksionojnë kështu si janë, me probleme me rendin e ligjin, problemet e ndërhyrjes në drejtësi, problemet me partitë”, nënvizoi juristi.

Për fund, ai potencoi se krijimi i një shteti normal është shumë e vështirë, pasi politikanët nuk po i shërbejnë vendit, por vazhdojnë të pasurohen dhe vjedhin atë.

“Prandaj Ballkani është larg me BE-në, përderisa nuk krijohet një shtet normal, me rend dhe ligj, ku politikanët nuk pasurohen dhe nuk vjedhin shtetin, por shërbejnë atij. Këta asnjë nuk shërbejnë për shtetin, por shërbejnë për para dhe privilegje, kjo është e kuptueshme kaherë”, përfundoi Blerim Burjani, përcjell “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme