Ministria e Drejtësisë e Serbisë i ka dërguar Francës dokumentacion shtesë në lidhje me zgjerimin e hetimeve ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Lajmin për dërgimin e materialeve shtesë në Francë për Haradinajn e kanë konfirmuar nga ministria serbe edhe për agjencinë e lajmeve Tanjug.
Seria pret që Franca t’i përgjigjet banda afatit të caktuar për kërkesën e tyre për ekstradimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj po mbahet prej ditësh në arrest në Francë, pasi u ndalua me katër janar me urdhërarrest të lëshuar në vitin 2006, për shkak të dyshimeve se kinse Haradinaj gjatë viteve 1998 dhe 1999 kishte kryer krime lufte kundër civilëve serbë dhe joshqiptar.
Fletarresti i Serbisë, e cila është pjesë e Interpolit, ka vlefshmëri edhe në Francë, ndaj autoritet atje e ndaluan.
Më pas Gjykata kompetente në Francë vendosi që Haradinaj të mbahet në paraburgim derisa Serbia nuk paraqet një kërkesë për ekstradim.
Haradinaj ishte arrestuar edhe njëherë në vitin 2015 në Slloveni, por pas disa ditësh ishte liruar.
Kujtojmë që Haradinaj nën akuza të tilla kishte shkuar në Hagë ku edhe ishte gjykuar për t’u shpallur përfundimisht i pafajshëm në vitin 2012, njofton Klan Kosova.
Sipas ekspertëve ligjorë, nëse Serbia kërkesën për ekstradim e bazon në akuzat e vjetra për Haradinajn, ai atëherë me siguri se do të lirohet, porse ekziston dyshim se Serbia ka përgatitur kërkesën bazuar në akuza të tjera, të reja, duke provuar kështu ta dërgojë Haradinajn për gjykim në Serbi.