Pas një serie përpjekjesh të pasuksesshme, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Interpol dhe pritja e saj mund të vjen në rendin e ditës në shtator, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate e cila do të mbahet në Pekin.
Megjithatë, pranimi i kërkesës nuk do të thotë anëtarësim automatik, ndërkohë që Serbia tashmë ka lobuar në shumë shtete që një gjë e tillë të mos lejohet të ndodh.
Interpoli është një nga katër organizatat në të cilat Kosova nuk ka qenë në gjendje të bashkohet, shkruan Blici serb. Në sajë të aktiviteteve diplomatike të Serbisë dhe ndihmës së vendeve të veçanta kryesisht Rusisë, Kosova nuk ka arritur të bëhet anëtare e OKB-së, Këshillit të Evropës e as UNESCO-s, transmeton lajmi.net.
Ministri i Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni zyrtarisht njoftoi se Interpol ka pranuar kërkesën e Prishtinës zyrtare por rruga drejt anëtarësimit mund të jetë shumë e gjatë. Që nga viti 2010, Kosova është duke u përpjekur të bëhet pjesë e Interpolit dhe hera e fundit që kërkesa e tyre është hequr nga rendi i ditës ka qenë në fund të majit në Lion.
Sipas gazetës ‘Blic’, Serbia ka lobuar në mesin e shteteve anëtare për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol duke formuar një grup pune të përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Zyrës për Kosovë.
Burime të kësaj gazete nga MPB serbe thonë se janë duke bërë të pamundurën të pengojnë hyrjen e Kosovës në Interpol.
“Edhe nëse çështja e Kosovës për t’ju bashkuar Interpolit do të jetë pjesë e rendit të ditës në Pekin, nuk do të thotë se ajo do të bëhet pjesë e organizatës”.
Shumica e dy të tretave do të jenë e nevojshme që të votohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.
Përpos Rusisë dhe Kinës, Kosovën nuk e mbështesin as India, Brazili, Spanja, Qipro, Greqia, Sllovakia, Bosnja dhe Hercegovina..
Argumenti i Serbisë është se Prishtina po tenton të futet në Interpol e përfaqësuar nga UNMIK-u dhe në çdo rast pozicioni i Kosovës nuk është i mirë.
Sipas informacioneve të gazetës, në dhjetor do të diskutohet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, dhe nuk përjashtohet mundësia që në vjeshtë të diskutohet anëtarësimi i saj në UNESCO.