Qeveria e Serbisë ka kërkuar nga autoritetet franceze ekstradimin “urgjent” të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Serbi.
Këtë kërkese e ka paraqitur drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, pas një mbledhje qeveritare ku temë e vetme ka qenë rasti i Haradinajt, njofton mediumi serb Tanjug.
Tutje, ai ka shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të ndjekë penalisht të gjithë të akuzuarit për krime lufte.
Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviq, ka thënë se Prokuroria e Krimeve të Luftës ka zgjeruar hetimet kundër ish-komandantit nga rajoni i Dukagjinit, dhe se ata kanë siguruar prova nga 30 dëshmitarë kundër tij.
Sipas saj, disa nga dëshmitarët kanë dhënë deklaratë me shkrim dhe se ka dëshmitarë që kanë statusin e mbrojtur “andaj nuk mund të zbulojmë emrat e tyre”.
Haradinaj është arrestuar nga autoritetet franceze me një urdhëararrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Të enjten, ai është liruar me kusht nga gjykata në Francë, por i është ndaluar kthimi në Kosovë./Insajderi.com