Serbia thotë se edhe Grenada e ka tërhequr njohjen, MPJ e Kosovës e mohon

Shteti i Grenadës bëhet vendi i nëntë që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, sipas mediave serbe.

Lajmi se Grenada e ka tërhequr njohjen e Kosovës, siç shkruan agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, është komunikuar nga ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe të Grenadës, Ivica Daçiq dhe Peter David.

“Mund të ju njoftoj se Grenada është shteti i nëntë që ka anuluar të gjitha vendimet e mëhershme në lidhje me statusin e Kosovës, që do të thotë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë në mëngjesin e sotëm ministri serb i jashtëm, Daçiq, për “Tanjugun”, pas, siç thuhet, takimit me homologun e tij nga Grenada, shtet ishullor në Amerikën e Mesme.

“Ai edhe zyrtarisht më ka dërguar notën e Grenadës për Serbinë ku qartë thuhet se Grenada e ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me statusin e Kosovës. Dhe po, duke e pasur parasysh se është duke u zhvilluar dialogu, ky shtet mendon se nuk duhet të merren kurrfarë vendimesh për statusin e Kosovës para përfundimit të dialogut dhe se do t’i respektojë rezultatet e dialogut, dhe në këtë kontekst, anulon, rrjedhimisht heq të gjitha vendimet e marra më parë apo deklarata në lidhje me statusin e Kosovës”, u shpreh Daçiqi, transmeton Koha.net.

Ai thotë se ky është një rezultat tjetër i madh, jo vetëm në mohimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe rezultat i madh në kuptimin e këtij problemi.

Sipas “Tanjugut”, ministri i Jashtëm i Grenadës, David, ka thënë se bashkëpunimi me Serbinë bazohet në bashkëpunim të thellë reciprok për sovranitetin dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme.

“Këto parime mes vendeve do të vazhdojnë dhe jam i kënaqur me rezultatet e bashkëpunimit që do të dalin nga marrëveshjet e nënshkruara për të mirën e popullit serb dhe atij të Grenadës”, ka thënë David, sipas “Tanjugut”.

Ndërkaq, Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për Koha.net ka thënë se ky lajm, sikurse edhe të mëparshmet në lidhje me temën e njëjtë, janë thjesht “gënjeshtra”.

“Kemi marrëdhënie diplomatike me Grenadën. Flluskat që po i krijon Serbia janë thjesht gënjeshtra të frikës së tyre për disa procese të rëndësishme në ditët në vijim”, ka thënë Zyberaj, duke mos treguar se për cilat procese bëhet fjalë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme