Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) reagon me indinjatë të thellë rreth shkresës-kërkesës “Shënimi i ditës së përkujtimit të 17 Mars 2004 – Persekutimi në Kosovë e Metohi” të lëshuar ditë më parë shkollave fillore dhe të mesme nga Ministria e Punës, Mirëqenies, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik.
Kjo shkresë-kërkesë e nënshkruar nga dy ministrat: Aleksandër Vullin dhe Mlladen Sharçeviq, i është dërguar edhe shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ku ftohen që “orën e parë të mësimit më 17 Mars 2017 (në ndërrimin e paradites dhe të pasdites) ti kushtohet ngjarjeve që kanë ndodhur me 17 Mars 2004 dhe në këtë mënyrë japin kontribut në ruajtjen e kujtimit për të gjithë të rënit”.
Gjithashtu, në këtë shkresë-kërkesë thuhet “ Të përkujtojmë 17 Marsin 2004 se ka ndodhur persekutimi në Kosovë e Metohin, kur për tri ditë kanë pësuar 11 Serbë, janë dëbuar 4.012 Serbë nga gjashtë qytete dhe nëntë fshatra, janë shkatërruar dhe djegur 35 kisha dhe manastire, 935 objekte serbe, nga të cilat 738 shtëpi të serbëve, 10 objekte publike, shkolla dhe shtëpi shëndeti. Pasojat e dhunës së marsit nuk janë sanuar deri më sot, dhe më tragjike është qe disa fshatra nga atëherë kanë mbetur pa serbë”.
Dhe më pas vazhdon “ Shpresojmë që ndani bindjet që forcimi i vetëdijes për nevojën e ruajtjes e kujtimit të dinjitetshëm në viktimat njerëzore dhe shkatërrimeve materiale si obligim i gjithë neve” përfundon shkresa.
Këshillit Kombëtar Shqiptar tashmë ka publikuar shënimin dhe përkujtimin e disa datave të rëndësishme për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës siç është 7 Marsi – Dita e Mësuesit, 28 Nëntori – Dita e Flamurit e kështu me radhë, shkruan Titulli.com.
Këshilli Kombëtar Shqiptar është plotësisht kundër çfarëdo dhune të ushtruar në çdo kohë dhe kudo, por njëkohësisht është kundër çfarëdo tentative dogmatizuese.
Këshilli Kombëtar Shqiptar e konsideron provokim të radhës këtë shkresë-kërkesë nga Qeveria e Serbisë ndaj shkollave shqipe, e cila është në funksion të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale tashmë të shpallura.
Këshilli Kombëtar Shqiptar kujton se në Luginën e Preshevës ende nuk ka ndodhur procesi i kthimit popullatës shqiptare të zhvendosur përmes kompensimit të dëmeve në pasuritë e tyre që nga represioni i regjimit të Millosheviqit. Shteti i Serbisë ende nuk ka ndriçuar vrasjet e civilëve shqiptarë nga Luginës e Preshevës gjatë periudhës 1999 – 2001. Serbia edhe më tej nuk respekton plotësisht i Ligjit për Amnistinë (Fl.zyrtare e RFJ-se 37/2002 të 03.07.2001) e ish pjesëtarëve të UÇPMB-së si edhe më tek përndjekjen dhe ndërprerja e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve, lirimi i te burgosurve politik.
“Qeveria e Serbia nuk respekton edhe më tej Marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës nën garancitë e Bashkësisë Ndërkombëtare. Qeveria e Serbia ende nuk është distancuar nga gjuha e urrejtjes, denigrimit dhe etiketimit të shqiptarëve si dhe shumë ngjarjeve dhe ndodhive që kanë shkaktuar jo vetëm vuajtje, dëme e shkatërrime por edhe viktima ndaj të cilave asnjëherë nuk ka treguar kujdes në Luginën e Preshevës. Për gjitha, këto jo që nuk ka kërkuar falje, por edhe obligimet e marra ndërkombëtarisht injoron dhe ndërton narracion, diskurs kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës si “armiq të këtij shteti”< thuhet në reagimin e KKSH-së.
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk i lejohet as kujtimi i heronjve dhe dëshmorëve të UÇPMB-së të gravuruar në lapidar e që është obligim evropian “nderimi i viktimave të pakicave nacionale”.
Andaj, Këshillit Kombëtar Shqiptar konsideron se ruajtja e kujtimit ndaj viktimave duhet bëhet pa përjashtim të çfarëdo komuniteti, fetar, etnik apo racor. Njëkohësisht, i bënë thirrje shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të mos përfillin dhe injorojnë shkresën-kërkesën e lëshuar nga ministrat e lartpërmendur.