Sezoni i ngrohjes nisi zyrtarisht sot, përjashtim bëjnë shkollat e Karposhit

Gazetare: Melihate Rustemi

Pavarësisht temperaturave pranverore sot zyrtarisht ka nisur sezoni i ngrohjes për shfrytëzuesit e lidhur në sistemin e ngrohjes qendrore në Shkup. Përjashtim do të jetë komuna e Karposhit, ku sezoni i ngrohjes në shkolla do të nis në 1 nëntor. Nga EMV-ja thonë se komuna ka kërkuar shtyrjen e nisjes së ngrohjes. Sipas informacioneve bëhet fjalë për 8 shkolla në territorin e Karposhit. Kreu i Karposhit Stevçe Jakimovski i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i mbulojë shpenzimet e ngrohjes për shkollat pasi sipas tij pushteti lokal nuk është i obliguar ta bëjë këtë. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se dikasteri që ajo drejton tashmë i ka paguar bllok dotacionet ndaj komunave që përfshijnë edhe pagesën e faturave të ngrohjes për shkollat.

“Ministria e Arsimit u jep bllok dotacione komunave. Bllok dotacionet u’a kemi paguar komunave dhe nuk kemi çfarë të japim shtesë. Detyrë e kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të shkollave është se si do të organizohen për ta realizuar jo vetëm sezonin e ngrohjes por çdo gjë tjetër që duhet. Pavarësisht që e ka dërguar në Ministrinë e Arsimit nuk është çështje që duhet drejtuar në Ministrinë e Arsimit. Pres që të gjitha shkollat të kenë ngrohje qendrore sepse pa ngrohje është e pamundur të mësohet. Besoj që kryetari i komunës i cili është shumë i aftë do të gjej një mënyrë për ti ngrohur shkollat”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Përveç shkollave të Karposhit, sipas njoftimit të EMV-së ngrohje nuk do të ketë edhe në 117 objekte ku ende nuk janë siguruar kushtet e nevojshme. Sezoni i ngrohjes do të zgjasë deri në 15 prill të vitit të ardhshëm, me mundësi vazhdimi edhe për 15 ditë të tjera varësisht nga temperaturat. Sipas Komisionit Rregullator të Energjetikës gjatë sezonit të ngrohjes furnizuesi është i obliguar të sigurojë ngrohje nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22. Megjithatë, varësisht nga temperaturat, përkatësisht nëse ato janë të larta, ngrohja ndërpritet për të vazhduar nëse temperaturat ulen nën 15 gradë celsius. Në sistemin e ngrohjes qendrore të EMV-së janë të lidhur rreth 63 mijë shfrytëzues. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme