Ekonomisti Dritan Shano, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Ditari” në A2, deklaroi se kjo që ka ndodhur me koronavirusin “është e paprecedentë”.
“Nuk ka ndodhur kurrë në botë që të ndalohet me urdhër ekonomia. Kjo ndërprerje është bërë nga qeveritë dhe për këtë arsye ka efekte shumë të rënda. Të varfërit do të bëhen akoma edhe më të varfër dhe do të rriten kostot e të bërit biznes”, deklaroi Shano.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një “virus të famshëm dhe të mbuluar mediatikisht, krejt ndryshe nga gripi i derrit apo i pulave, që kanë qenë ndoshta shumë më vdekjeprurës sesa ky, por jo kaq të mbuluara mediatikisht”.
Në lidhje me efektet që do të ketë Covid-19 në ekonominë tonë, Shano tha: “Ekonomia shqiptare është goditur dy herë: një herë nga tërmeti dhe një herë nga qeveria që ndërpreu ekonominë këto muaj. Qeveria nuk parashikonte rritje të madhe dhe unë besoj se ekonomia nuk do të ketë rritje këtë vit”.