Shaqiri pranon: Vendi nuk ka para për libra

Gazetar: Ardit Ramadani

Përderisa vendi thellohet në çdo matje ndërkombëtare sa i përket cilësisë së arsimit ndërsa sipas PISA, shumica e nxënësve të RMV-së deri në moshën 19 vjeçe nuk e arrijnë nivelin themelor, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri nuk arrin që të gjithë nxënësve të shkollave të mesme t’ju sigurojë kushtin më themelor për mbarëvajtje të procesit arsimor, librat shkollorë.

Shaqiri dje në një debat televiziv kishte pranuar se vendi nuk ka mjaftueshëm para për të siguruar libra shkollorë për të gjitha lëndët, ai u “ankua” se bëhet fjalë për shumë lëndë.

“Sipas të dhënave që i kam tani, nuk besoj se gjithsej mundemi që ta përmbyllim arsimin profesional me libra sepse bëhet fjalë për shumë lëndë. Realisht, për shkollat e mesme nuk kemi për të gjitha lëndët”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Edhe pse sot Shaqiri refuzon që të jep informacione shtesë për ALSAT në lidhje me këtë deklaratë, ajo ngjalli reagime të shumta në mesin e organizatave. Për Petar Barlllakovski nga Forumi Rinor Arsimor problem nuk është mos pasja e parave, por se si dhe për çka harxhohen ato.

“Mendoj që nuk qëndron se shteti nuk ka para, por e kundërta, mendoj që shteti absolutisht ka para t’i printojë ata libra megjithatë harxhimi i parave në këtë shtet dukshëm nuk bëhet në mënyrën më të mirë, përkatësisht e shohim se arsimi nuk është prioritet kur bëhet fjalë për financa dhe investime. Qytetarët, sidomos prindërit por edhe të rinjtë në këtë shtet realisht janë të revoltuar kur e shohin se në këtë shtet ka para për gjithçka, megjithatë për atë që është thelbësore, sidomos për procesin arsimor siç janë librat, ja kemi deklarata ku thuhet se nuk ka mjaftueshëm para për të printuar mjaftueshëm libra”, deklaroi Petar Barllakovski, Forumi Rinor Arsimor.

Me ligj shteti është i obliguar që të gjithë nxënësve të ju sigurojë arsim cilësor pa pagesë. Barllakovski shtoi se as nuk duhet menduar që të kthehet metoda e mëhershme kur librat ishin me pagesë.

Rikujtojmë që Arsimi gjithashtu ka qenë në “qendër” të kritikave edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Edhe atë në Raportin vjetor të Komisionit Evropian, vendi u cilësua si mesatarisht e përgatitur në këtë fushë. Sipas BE-së, shpenzimet publike për arsim dhe trajnim vazhdojnë të jenë larg mesatares së BE-së.

Në Maqedoninë e Veriut ka nxënës të kategorive të caktuara të cilët nuk kanë qasje në arsim cilësor, një pjesë nuk kanë libra por edhe ato që i kanë, sipas raportimeve pjesa më e madhe janë me gabime skandaloze. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme