Ambasada amerikane në Tiranë reagoi në lidhje me protestën që është duke u mbajtur nga opozita para kryeministrisë.
Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me eskalimin e protestës së opozitës në Shqipëri.
Me anë të një njoftimi ambasada e Shteteve të Bashkuara, thotë se dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë.
“Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme”, thuhet në njoftim.
Më pas ambasada amerikane thotë: “Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”, thuhet në njoftimin e ambasadës”. Ndryshe, protesta e opozitës në Tiranë ka nisur me përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve, teksa protestuesit kanë çarë kordonin e Policisë së Shqipërisë.
Edhe një deklaratë e delegacionit të BE-së, që foli edhe në emër të ambasadave të unionit, të akredituara në Tiranë, bëhet thirrje që palët të distancohen nga dhuna.
“Delegacioni i Bashkimit Europian, së bashku me të gjitha ambasadat e unionit, të akredituara në Tiranë, u bëjnë thirrje palëve të përfshihen në paqe dhe të largohen nga aktet e dhunës. E drejta e qytetarëve për të protestuar për pakënaqësitë e tyre, duhet të ndërmerret në mënyrë paqësore, ashtu siç e garantojnë institucionet demokratike. Përsërisim edhe njëherë thirrjen që palët të distancohen nga dhuna dhe çdo akt i saj”, thuhet në reagimin e Bashkimit Europian.
Kujtojmë, se të paktën 6 persona raportohet se kanë mbetur të plagosur në protestën e stome.
Opozita zhvillon protestën që sipas organizatorëve ka për qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do e çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.