Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, u ka dërguar një letër anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së para se të votohej për një rezolutë kundër vendimit të SHBA-së për të njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.
Në letër, të siguruar nga gazeta izraelite “Haaretz”, Haley shkroi se Presidenti Amerikan Donald Trump “do ta shikojë me kujdes votimin [e së enjtes]” dhe “ka kërkuar që t’i raportojë për ata që votojnë kundër nesh”.
Ky paralajmërim erdhi pasi SHBA u mposht në votë 14 me 1 pasi vuri veto ndaj një rezolute të KS të OKB-së të hënën kundër vendimit të Trumpit për Jerusalemin, raporton AlJazeera.
Trump bëri me dije më 6 dhjetor se SHBA e njeh formalisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të nisë procesin e zhvendosjes së Ambasadës së saj në këtë qytet, që bie ndesh me politikën shumëvjeçare amerikane.
Ky veprim solli një valë protestash globale, me dhjetëra-mijëra persona që dolën në rrugë ditëve të fundit për të kundërshtuar vendimin e tij.
E furishme ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit kundër këtij veprimi, Haley të martën tha se “ky ishte një ofendim” dhe se “nuk do të harrohet”.
Ndërkaq, letra e Haleyt drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme pasqyroi reagimin e saj të mëhershëm, ndërsa tha se SHBA “do të mbajë shënime për emrat” gjatë votimit të së enjtes, që pritet të kalojë me shumicë votash.
“Siç e dini, Asambleja e Përgjithshme po e shqyrton një rezolutë në lidhje me vendimin e fundit të Presidentit Trump mbi Jerusalemin. Derisa jeni duke e shqyrtuar votën tuaj, unë ju inkurajoj ta dini se presidenti dhe SHBA e marrin këtë votë personale”, ka shkruar Haley në letër.
“Njëzet vjet më parë, Kongresi i SHBA-së deklaroi se Jerusalemi duhet të njihet si kryeqytet i Izraelit, dhe se ambasada amerikane duhet të zhvendoset në Jerusalem. Presidenti Trump e konfirmoi atë deklaratë duke e njohur zyrtarisht Jerusalemin kryeqytet të Izraelit”, shkroi më tej ajo.
“Megjithatë, njoftimi i Presidentit nuk ndikon në negociatat për statusin final në asnjë mënyrë, përfshirë edhe kufijtë specifikë të sovranitetit të Izraelit në Jerusalem. Presidenti gjithashtu u kujdes që të mbështesë status quo-në e vendeve të shenjta në Jerusalem, dhe nuk ka avokuar për ndryshime në aranzhimet në Tempullin Mount / Haram al-Sharif”, tha më tej Haley, transmeton Koha.net.
Turqia, aleate e vjetër e Palestinës, ka thënë se do të angazhohet fuqishëm në kalimin e kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Me kërkesë të Turqisë dhe Jemenit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të takohet të enjten për të diskutuar për Jerusalemin.