SHBA-ja, prijësja e dikurshme e botës në kohë krizash, tani është vetizoluar

Teksa rivalët e Amerikës po ofrojnë përkrahje për shtetet tjera të goditura nga koronavirusi, SHBA-ja është duke e humbur rolin e vet tradicional të prijëses në botë. E kjo po ndodh në kohën kur shteti amerikan po mundohet ta frenojë përhapjen e virusit në territorin e saj, pohojnë analistët.

Në kohë krize, kur bota zakonisht do të mbështetej tek shteti më i pasur dhe më me ndikim, SHBA-ja duket se është vetizoluar, me presidentin e saj që është duke e nënvlerësuar rrezikun dhe zyrtarët më të lartë që kanë mospajtime mes vete, shkruan “The Washington Post”, transmeton KOHA.

Në vend të saj, rivalët e SHBA-së, në rend të parë Kina e në një shkallë edhe Rusia, janë duke u munduar ta plotësojnë boshllëkun, duke ofruar ndihmë për shtetet e goditura, një rol ky të cilin SHBA-ja e ka ushtruar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Aeroplanë përplot me pajisje mjekësore kineze, maska dhe uniforma mbrojtëse, po aterojnë në Itali, Spanja, Holandë, Ukrainë, Iran dhe Irak, midis tjerash. Jack Ma, më i pasuri i Kinës, ka dhuruar pajisje testimi, maska dhe rroba mbrojtëse për 54 shtetet e Afrikës.

Krerët e shteteve afrikanë kanë përdorur rrjetet sociale për ta falënderuar, derisa gazetat e mëdha ua kanë kushtuar ballinat këtyre donacioneve. “Perceptimi tek pjesa më e madhe e kontinentit sot është se kinezët janë duke i ofruar të mirat publike, të cilat dikur i ofronte SHBA-ja”, ka thënë Eric Olander, redaktor i “China-Africa Project”.

Nëse SHBA-ja ka kontaktuar me botën sa i përket koronavirusit, atëherë këtë gjë e ka bërë vetëm për të shkëmbyer kritika me rivalët rreth asaj se çfarë emri duhet të përdoret për ta përshkruar virusin – Trumpi insiston që ai të duhet “virusi kinez” – dhe se kush e ka fajin për përhapjen e tij.

“Në krizat ndërkombëtare, Amerika ka qenë gjithnjë shteti tek i cili janë drejtuar shtetet tjera, për t’i udhëhequr dhe drejtuar gjërat. E tani, cili shtet po i drejtohet SHBA-së? Asnjëri”, thotë Elisabeth Braw e Institutit “Royal United Services” me seli në Londër.

Rajiv Shah, që e ka koordinuar reagimin amerikan gjatë përhapjes së Ebolës në Afrikë më 2014, si drejtor i Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, e ka theksuar domosdoshmërinë për bashkëpunim ndërkombëtar me Amerikën në krye. “Duhet të jetë tërë SHBA-ja dhe duhet të jetë tërë bota”, ka thënë Shah, tani president i Fondacionit Rockefeller.

Sprapsja e Amerikës nga beteja kundër koronavirusit është pjesë e një sprapsjeje të përgjithshme amerikane nga zhvillimet ndërkombëtare. Prej marrëveshjes së Parisit për klimën, e deri tek marrëveshjet e shumta për tregti, administrata Trump është tërhequr prej dekadave të udhëheqësisë amerikane rreth një numri çështjesh.

Por kriza me të cilën përballet tani bota është aq e rëndë, saqë mungesa e Amerikës mund të ndikojë përhershëm në reputacionin e saj, duke i lëshuar terren Kinës, kur është në pyetje ndikimi global, kanë thënë analistët.

“Pyetem nëse kjo është pikë kthese në sistemin ndërkombëtar”, ka thënë Nathalie Tocci, drejtuese e Institutit italian për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe ish-këshilltare politike e liderëve të lartë të Bashkimit Evropian.

“Këtu në Itali do të ndërrojë një herë e mirë perceptimi rreth asaj se kush po udhëheq në botë. E fjala nuk është për SHBA-në”, ka thënë ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme