Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, H.R. McMaster thotë se tash ka “konsensus ndërkombëtar”- përfshirë Kinën dhe udhëheqësinë kineze- për ndalimin e testeve raktetore të Koresë së Veriut.
McMaster i bëri këto komente në Kabul, pasi ushtria amerikane njoftoi se Koreja e Veriut ka dështuar në lansimin e një rakete më herët gjatë ditës së sotme.
Komanda e Paqësorit e SHBA-së ka thënë se ka detektuar dështimin e lansimit të një rakete, disa orë përpara se Nënpresidenti amerikan, Mike Pence të arrinte në Seul të Koresë së Jugut.
Komanda amerikane ka thënë se raketa “ka shpërthyer pothuajse”menjëherë pasi është lansuar.
McMaster tha se testet e raketave nga Koreja e Veriut, i përkasin një sjellje të provokimit, destabilizimit dhe kërcënimit- dhe presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të lejojë që Koreja e Veriut ta kërcënojë SHBA-në apo aleatët rajonalë.
Ai tha se konsensusi, që përfshinë edhe Kinën, është “mënyra se si do të zgjidhet ky problem. Është koha që ne të ndërmarrim të gjitha veprimet, që të tentojmë ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë paqësore”.
McMaster e ka quajtur Korenë e Veriut “regjim armiqësor” dhe ka thënë se lideri verikorean, Kim Jong un është “i paparashikueshëm” dhe ka “demonstruar brutalitetin e tij”.
Ai ka shtuar se Uashingtoni është duke punuar me aleatët në rajon dhe udhëheqësinë e Kinës, për të gjetur përgjigjen e duhur për këtë çështje dhe ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë.