Linja që administrata Trump do të ndjekë me Korenë e Veriut u bë e qartë përmes Sekretarit të ri të Mbrojtjes, James Mattis.
“Çdo përdorim i armëve bërthamore nga Peniani do të marrë një përgjigje të fuqishme prej nesh”, deklaroi shefi i Pentagonit. Mattis i bëri këto komente nga Koreja e Jugut, ku ndodhet për një vizitë zyrtare e ku e siguroi Seulin mbi vazhdimësinë e mbështetjes së Uashingtonit për të.
Ministri rikonfirmoi po kështu dhe planet për vendosjen e një sistemi amerikan të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut më vonë gjatë vitit. Lëshimet e raketave dhe testet e vazhdueshme bërthamore të Veriut komunist kanë mbjellur frikë dhe e kanë vënë në alarm të gjithë rajonin.
SHBA ka një prani të qenësishme ushtarake në Korenë e Jugut dhe në Japoni si pjesë e një marrëveshje të pasluftës. Në Korenë e Jugut ka rreth 28,500 ushtarakë amerikanë, për të cilët Seuli paguan çdo vit gati 900 milionë dollarë.