Edhe sekretari i Shtetit në Amerikë, Mike Pompeo, ka përgëzuar Ramën për largimin e dy agjentëve iranianë që thuhet se kishin planifikuar sulme terroriste në dy Shqipëri.
“Kombet evropiane kanë penguar tri komplote iraniane vetëm sivjet. Bota duhet të jetë e bashkuar për të dënuar regjimin iranian deri sa të ndryshojë sjelljen destruktive.
Sot tch raportoi se Shqipëria ka marrë vendim për shpalljen si persona të padëshiruar të dy diplomatëve të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend. Lajmi ishte konfirmuar edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranianë si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”, thuhej në një përgjigje të MEPJ-së.
Sipas raportimit, ky vendim, me gjasë vjen pas një bashkëpunimi me shërbimet partnere dhe ato izraelite për të shmangur një incident gjatë ndeshjes në Shkodër.
Në atë kohë kishte informacion se, Lavdrim Muhaxheri dhe disa terroristë të tjerë do të sulmonin me eksploziv kombëtaren izraelite. Për këtë çështje, në Shqipëri dhe Kosovë u arrestuan më shumë se 20 persona.
Pak muaj më parë, Shqipëria shpalli “non grata” atasheun ushtarak të Rusisë, si dhe sekretarin e parë të Ambasadës ruse. Por, ky vendim, siç u konfirmua asokohe nga Ministria e Jashtme, erdhi pas konflikteve të Rusisë me Britaninë e Madhe, pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal.