Pas vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani dje, sot një sulm i ri ajror amerikan në Irak, në veri të kryeqytetit Bagdad, vrau një komandant të Forcave të Mobilizimit Popullor (Hashd al Shaabi). Lajmi u raportua nga televizioni shtetëror irakian, pas sulmit i cili i kushtoi jetën udhëheqësit të formacionit pro-iranian. Televizioni iraken nuk specifikoi identitetin e komandantit viktimë të sulmit, duke raportuar vetëm për “të vdekur dhe të plagosur”.
Por sipas transmetuesit iranian Press TV, komandanti i vrarë ishte Shibl al Zaidi, drejtuesi i Brigadave Imam Ali Aliu, një milici që është pjesë e Njësive Popullore të Mobilizimit (PMU) të lidhur me Iranin. Gjithashtu u raportua edhe vrasja e vëllait të tij dhe pesë truprojave.
Ndërkohë, pas vrasjes dje të gjeneral Qassem Soleimani, ambasadori iranian në OKB Takht Ravanchi, në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres shkruan se “vrasja e gjeneralit Qassem Soleimani është një shembull i qartë i terrorizmit shtetëror dhe, si një veprim kriminal, që përbën një shkelje serioze të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ato të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë bëhet e ditur se funerali i gjeneralit iranian të vrarë dje nga SHBA do të nis të mbahet në Bagdad dhe në dy qytetet e shenjta shiite të Najaf dhe Kerbala dhe më pas do të transferohet në Iran.
Sipas transmetuesit ‘Press Tv’, trupi i gjeneralit do të shoqërohet edhe nga trupat e dy bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë të cilët cilët gjithashtu mbetën të vrarë gjatë sulmit të SHBA.