Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB, duke e quajtur atë “një pusetë anësish politike”.
“Abuzuesit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të shërbejnë e të zgjidhen në Këshill. Regjimet më çnjerëzore të botës vazhdojnë t’i shpëtojnë shqyrtimit dhe Këshilli ndjek si përherë politikën e dashit të kurbanit, me shtete që kanë të dhëna pozitive të këtyre të drejtave, në përpjekje për ta tërhequr vëmendjen nga abuzuesit në radhët e tij”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Nicky Haley.
Këshilli me seli në Gjenevë, i krijuar në vitin 2006, është gjendur nën një breshëri kritikash për faktin se, ka lejuar vende me probleme sa i takon të drejtave të njeriut që të bëhen anëtarë të tij.
Megjithatë, aktivistët mendojnë se kjo lëvizje e Amerikës mund të cënojë rëndë përpjekjet për të monitoruar abuzimet e kësaj natyre në të gjithë globin.
Një prej akuzave të Haleyit ishte se organizmi në fjalë ka treguar anësi të hapur ndaj Amerikës dhe Izraelit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres reagoi duke thënë se do të kishte preferuar që SHBA-të të mos largoheshin, ndërsa komisioneri i të Drejtave të Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein e cilësoi një lëvizje zhgënjyese, por jo dhe aq të papritur.