Shefat e Misioneve të Shteteve të BE-së kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku e kanë vlerësuar procesin e zgjedhjeve komunale të së dielës në Kosovë.
Thonë se votuesit në Kosovë nëpërmjet votimit në zgjedhjet komunale të dielën e kaluar e kanë ushtruar të drejtën e tyre demokratike.
“Me ftesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, BE-ja ka zbarkuar në Kosovë një Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ), misioni i katërt plotësisht i kualifikuar i këtij lloji në Kosovë. Sikurse në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në qershor, edhe ky mision sërish është drejtuar nga Shefi i Misionit Vëzhgues, Alojz Peterle, Anëtar i Parlamentit Evropian”, thuhet në njoftim.
Shefat e BE-së thonë se janë të lumtur që sipas deklaratës së parë, të cilën MVZ i BE-së e bëri publike në fillim të kësaj jave, zgjedhjet në përgjithësi janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt në pjesën më të madhe të Kosovës.
“Njëkohësisht, Shefat e Misioneve të Shteteve të BE-së me brengosje të thellë kanë vërejtur që fushata ka qenë e karakterizuar nga frikësimi në shumë bashkësi të banuara me shumicë serbe dhe se procesi zgjedhor brenda komunave të banuara me shumicë serbe, në këtë mënyrë nuk i ka plotësuar disa standarde ndërkombëtare dhe evropiane për zgjedhje demokratike. MVZ i BE-së ka vërejtur një formë të vazhdueshme, të koordinuar dhe brengosëse të frikësimit në zona të banuara me shumicë serbe brenda Kosovës, të drejtuar kundër kandidatëve që garuan kundër Listës Serbe. Ajo formë ka përfshirë presionin ndaj kandidatëve individualë për tërheqje dhe garën e kufizuar politike, duke i vënë në pikëpyetje parimet e procesit të përgjithshëm demokratik në të gjitha zonat”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se dobësitë e vazhdueshme në procesin zgjedhor janë vërejtur në mënyrë të përsëritur nga Misioni dhe nuk janë adresuar mjaftueshëm para këtyre zgjedhjeve.
Ata iu bëjnë thirrje të gjithë akterëve relevantë nga i gjithë spektri politik dhe i komunitetit për t’i adresuar pa vonesa këto mangësi.
“Në përputhje me praktikat e dëshmuara MVZ i BE-së pas përfundimit të procesit aktual zgjedhor, përfshirë raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që do të mbahet pas katër javësh në disa komuna, do të publikojë një raport final që përmban rekomandime për përmirësime në kornizën e gjerë zgjedhore. Këto rekomandime do t’i ndihmojnë autoritetet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kornizën zgjedhore dhe në këtë mënyrë për të përmirësuar dhe konsoliduar qeverisjen dhe institucionet demokratike. BE-ja është plotësisht e përkushtuar për t’i mbështetur autoritetet e Kosovës në këto përpjekje, përfshirë mbështetjen e ofruar nëpërmjet projektin rajonal të implementuar nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut”, thuhet ndër të tjerash.