Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ka folur në fillim të mbledhjes për situatën e krijuar në Siri, ku SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca sulmuan regjimin e Assadit.
Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të këshillit të sigurisë të tregohen të përmbajtur dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm në Siri.
Ai tha se inspektorët e Organizatës për ndalimin e armëve kimike (OPCË) janë në Siri dhe janë gati të inspektojnë vendin e sulmit kimik të së shtunës së kaluar pranë Damaskut.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë bombarduar tri caqe qeveritare, duke shënjestruar ato që i kanë cilësuar si baza të armëve kimike.
Sulmet kanë qenë përgjigje ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma, javën e kaluar.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se ai ka dënuar sulmet Perëndimore, “në mënyrën më serioze”.
Rusia, aleatja kryesore e Sirisë ka kërcënuar me hakmarrje ushtarake nëse goditet ndonjë forcë ruse.
Pentagoni ka thënë të shtunën se sulmet amerikane në Siri në natën e mbrëmshme kanë qëlluar me sukes secilin cak dhe se kanë pasur për qëllim dërgimin e një sinjali te Qeveria siriane, si dhe për pengimin e përdorimit eventual të armëve kimike në të ardhmen.
Togeri, Kenneth F. McKenzie u ka thënë gazetarëve se sulmet kanë qenë precize dhe shumë efektive.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka mirëpritur sulmet amerikane, britanike dhe franceze në Siri, duke thënë se ky operacion ka dërguar mesazh homologut të tij sirian, Bashar al-Assad.
“Përmes një operacioni të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, i kanë dërguar mesazh regjimit sirian se masakrat e kryera nuk do të mbesin pa përgjigje”, u ka thënë Erdogan mbështetësve të tij gjatë një takimi në Stamboll.
“Populli sirian ka merituar që të ketë mbrojtje shumë kohë më parë”, ka thënë Erdogan.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën