Përplasje të forta në politikën shqiptare për idenë e korrektimit të kufijve.
Ish-ministri i Jashtëm, deputeti demokrat Tritan Shehu në një analizë të bërë në studion e News24, tha se ideja e ndryshimit të kufijve në Kosovë është e lidhur me Beogradin.
Sipas tij, kjo ide nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, erdhi pas deklaratave të ministrit të Diasporës, Pandeli Majko.
Por pas këtyre deklaratave ka reaguar Ministri i Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko.
Majko përmes një shënimi në Facebook, ka thënë se as serbi Gjuriq nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë sa Shehu.
“Tritan Shehu ka deklaruar se ideja për ndryshimin e kufijve e hapur së fundmi…”E mori zanafillën në një deklaratë të ministrit Majko… në një ambient të papërshtatshëm duke hedhur një ide të tillë që nga janari kryeministri do rrëzojë kufirin Shqipëri-Kosovë.” (!?) (As serbi Gjuric nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë)”.
Sipas Majkos, është papërgjegjshmëri të lidhësh lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën e ndryshimit të kufijve.
“Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën e ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë”.
Ministri socialist ka sqaruar se lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë dhe se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të “ndahen” për tu integruar.
“’Rrëzimi i kufirit’ si term, përdoret në rastet e embargove… Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit evropian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të ‘ndahen’ për t’u integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht”, shkruan më tej Pandeli Majko në reagimin e tij ndaj Tritan Shehut.