Deputeti i PD-së në Shqipëri, Tritan Shehu, i ka bërë apel politikës së Kosovës që të tregohet e kujdesshme dhe të mos e shfuqizojë Gjykatën Speciale.
Shehu thotë se kjo do të ishte një vijë e dytë e kuqe e shkelur nga shqiptarët në raport me SHBA-në pasi e para, sipas tij, ishte vota e Shqipërisë në favor të Rezolutës së OKB-së kundër SHBA-së për njohjen e Jerusalemit kryeqytet të Izraelit.
Ky është statusi i plotë i Shehut:
Kujdes Kosova: Shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të ishte përsëritje e votës tragjike të Shqipërisë në OKB!
Një tjetër paralajmërim i ashpër arrin nga SHBA ndaj shqiptarëve, duke i vendosur një “vijë të dytë e kuqe”.
E para kishte të bënte me votën në OKB për atë Rezolutë. Fatkeqësisht ne nuk ditëm të respektojmë e mbështesim miqtë e mëdhenj, dhe kjo nuk do të kalojë pa pasoja serioze.
E dyta ka të bëjë me përpjekjet që po bëhen në Prishtinë për shfuqizimin e “Gjykatës Speciale”, me pasoja tejet të rënda kjo për të ardhmen e Kosovës.
Unë nuk e di nëse mbas të dy rasteve fshihet e njëjta “regji”, por dyshime të bazuara lindin.
Prej kohësh në Ballkanin Perëndimor kanë ripenetruar e riaktivizuar faktorë, që duan të mbajnë shqiptarët larg Familjes Evropiane e Perëndimore.
Kujdes, kështu vëmë në rrezik arritjet madhështore e historike, që shqiptarët arritën në këto 25 vite, si asnjë popull tjetër në rruzull, të pa mundura këto pa përfshirjen totale të SHBA e të disa vendeve të BE!
Nuk po kuptoj: pse qeveria jonë që nuk humb rast pa marrë poza paternaliste, po hesht këto ditë!?.