Gazetare: Ajnur Bafqari
Një hallkë dhe një ruter dhe vetëm një shtypje larg kërkesës për ndihmë. Kjo është pulla emergjente mbrapa të cilës punon një ekip i tërë dhe ofron ndihmë për rreth 180 të moshuar që jetojnë vetëm. Kërkesa për mbështetje psikologjike, sulm paniku, apo kërkesa të tjera për ndihmë shëndetësore, janë thirrjet më të shpeshta që i pranon qendra e thirrjeve.
Andreja Petrushevski është 85 vjeçar. Ai jeton vetëm dhe thotë se pajisja me këtë pullë i ka ofruar më shumë siguri.
“Unë jam vetëm, dhe kam frikë pasi kam problem më këmbën. Meqë jam vetëm, nuk kam kush të më sheh, e mora pullën, pasi jam vetë dhe nuk ka kush të kujdeset për mua. Më mirë e kam në shtëpi, sepse në një shtëpi pleqsh, megjithatë je sikur në burg, a në shtëpi kur dëshiroj ha, shtrihem, ha çfarë dëshiroj, ndërsa atje është sipas rregullave të tyre. Mua më vjen më mirë në shtëpi. Shtëpia është shtëpi. Pulla për mua është sikur të kem dikënd që të më mbrojë”, tha Andreja Petrushevski, i moshuar.
Nga Kryqi i Kuq thonë se ekipi prapa pullës emergjente punon 24/7, pa asnjë ndërprerje, ndërsa pajisja punon edhe në mungesë të energjisë elektrike deri në 2 ditë.
“Pas alarmit ne për disa sekonda përgjigjemi ndaj thirrjes, kështu që pajisjen që e kanë ata është audio, e dëgjojnë zërin tonë, dhe menjëherë përgjigjen se çfarë ndodh, a kanë rënë, a janë përkeqësuar, çfarëdo që të jetë. Pas bisedës dhe në rast se nuk dëgjojmë përgjigje e dëgjojmë vetëm zërin, atëherë ne menjëherë dalim në terren për të parë çfarë ndodh. Ne nuk jemi ndihmësmjek, ne japim vetëm ndihmën e parë dhe kontroll të situatës. Nëse përdoruesi ka rënë dhe është i lënduar lehtë, atëherë ne i ndihmojmë. Por nëse ka ndodhur diçka më e rëndë atëherë ose e dorëzojmë te institucioni shëndetësor ose thërrasim ndihmën e shpejtë”, tha Laura Saliu, Kryqi i Kuq.
Për realizimin e këtij shërbimi punojnë rreth 90 persona, respektivisht punonjës terreni, kujdestarë, të punësuarit në pullën emergjente, transporti me ambulancën, vullnetarët dhe motrat medicinale.
“Kush mund të pajiset me pullë të kuqe. Ata janë njerëz që janë në vërtetë në situatë të jenë vetëm, të jenë të moshuar, të mos mund të kujdesen për vete, bëhet evaluim, së bashku me bashkëqeverisjen lokale, me ekipet në terren, dhe me koordinatorët. Qytetarët nuk paguajnë për këtë shërbim, pikërisht për këtë janë marrëveshjet me vetëqeverisjet lokale, shpenzimet për funksionim të këtij shërbimi e paguan vetëqeverisjesa lokale dhe është pjesë e buxhetit lokal”, tha Suzana Tuneva Paunovska.
Së fundmi këtej projekti iu bashkëngjit edhe Komuna Qendër.
“Përskaj bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në pjesën e projektit me transportin e të moshuarve në spital, sot nënshkruajmë marrëveshje pullën emergjente. Fillimisht bëhet fjalë për 22 banorë të Komunës Qendër, mbi 65 vjeç”, tha Goran Gerasimovski, Kryetari i Komunës Qendër.
Momentalisht ky shërbim i mbulon komunat në Qytetin e Shkupit, ndërsa presin që së shpejti të shpërndahen edhe në qytetet tjera më të mëdha të vendit./Alsat.mk