Sherifi: Komisioni i “pavarur” për matjen e territorit, me njerëz të varur nga Qeveria

Sekretari i NISMA për Kosovës, Bilall Sherifi, në një postim në facebook ku ka kritikuar përbërjen e komisionit të pavarur për matjen e territorit të Kosovës, duke thënë se kryetari i këtij komisioni Hivzi Islami është një person i varur nga Qeveria.

Ja Postimi i tij i plotë:

Komisioni i “pavarur” qeveritar për matjen e territorit me kryetar të varurin e qeverisë Hivzi Islami!

Qeveria e Kosovës më në fund e formoi komisionin për të ashtuquajturin proces të “Matjes së Territorit” të Kosovës. Në këtë shkrim nuk do të merrem me aspektet profesionale të kësaj çështje sepse konsideroj se këtë mjaftueshëm e kanë sqaruar ekspertët e fushës. Gjithashtu mendimin tim se a është e mundur matja e territorit pa e pasur të përfunduar demarkacionin me të gjitha shtetet, e kam bërë publik në shkrimin tim autorial (Një “shpikje” që edhe alkimistët do t’ ia kishin lakmi) prandaj nuk do të ndalem rreth kësaj çështje.

Ajo që më bëri përshtypje dhe më shtyri të shkruaj për komisionin e formuar nga qeveria është emërtimi i tij si Komision i ”PAVARUR”. Kryetar të këtij komisioni “TË PAVARUR” qeveria e ka emëruar kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve (ASHAK), Hivzi Islamin. Qëndrimet publike të Hivzi Islamit lidhur me çështjen e këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi jo vetëm që nuk e nxjerrin atë të pavarur, por bazuar në ato që ai vet i ka thënë në shumë raste, më shumë i përngjet një zëdhënësi të qeverisë sesa një eksperti të pavarur. Në debatet publike për këtë çështje Hivzi Islami ka marrë qartë anën e versionit të qeverisë, madje edhe duke fyer të gjithë ata që nuk mendojnë sikur qeveria.

Të gjithë kundërshtarët e versionit të qeverisë në përgjithësi dhe ekspertët e mirënjohur që zhveshën përmbajtjen e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, z. Bulliqi dhe z. Isufi, Hivzi Islami, i ka quajtur “diletantë dhe keqpërdorues të botimeve”. Sipas tij, me pretendimet e ngritura “këta dy po përpiqen të dalin nga anonimiteti” dhe se e gjithë “lufta politike po zhvillohet jo për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve”. Në një interviste të dhënë për një gazetë ditor të Kosovës, të gjithë ata që nuk pajtohen me versionin e qeverisë i akuzoi “për qasje emocionale-folklorizante”. Vetëm një “akademik” i kalibrit të Hivzi Islamit që është vënë në pozitën e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës me ndihmën e atyre që shkencën e shohin me emocione dhe si folklor mund të na shpjegojë se çka ka menduar me shprehjen “qasje emocionale-folklorizante”.

Albanologët dhe akademikët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë nuk mund të japin përgjigje për këtë “neologjizëm”!

I “pavaruri” i qeverisë Hivzi Islami debatin e organizuar në kuvend më 3 gusht 2016 me “Cinizëm Akademik” e quan “debat shkencor-profesional ku kishte militantizëm partiak të grupeve dhe individëve, irracionalitet, vetëm joprofesionalizëm”. Kryetari i “pavarur” Islmai debatin e organizuar në kuvend sërish me “Cinizëm akademik” e quan “Kongres Shqiptar i Berlinit” i vetëmandatuar të vizatojë dhe rivizatojë harta në Ballkan! Përderisa referenca “Kongres i Berlinit” për të gjithë shqiptarët zgjon një ndjenjë revolte dhe hidhërimi, sepse pikërisht aty janë marr vendime shumë të dëmshme për kobin shqiptar dhe copëtimin e viseve shqiptare, cinizmi i “akademikut” Hivzi Islami është neveritës. Duke iu referuar këtij kongresi ndërkombëtar që pati efekte tragjike për popullin shqiptar dhe duke mbrojtur versionin e qeverisë për faljen e tokave të reja Malit të Zi “akademiku” Hivzi Islami ngjall revoltën e përgjithshme si të vetmin emocion ndaj intelektualëve mercenarë.

Tash, kur kemi parasysh tërë militantizmin e tij “akademik” në funksion të mbrojtjes së versionit të qeverisë mbi demarkacionin dhe faljen e territoreve Malit të Zi secili njeri i logjikshëm mund t’i paramendojë rezultatet e komisionit që pretendon të jetë i pavarur. Ndërsa sa i përket përpjekjes së qeverisë për t’i hedhur hi syve popullit po e parafrazoj thënien e Hivzi Islamit në formën më adekuate të mundshme me kontekstin real të gjërave:

“Lufta e qeverisë dhe komisioneve të saja të ‘varura’ dhe të ‘pavarura’ të cilat kanë për qëllim konfirmimin me çdo kusht të versionit aktual të demarkacionit nuk po zhvillohet për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë të saj, por është puro luftë për pushtetin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme