Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka diskutuar sot edhe Shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”.
Mes çështjeve të diskutuara mbi këtë projektligj ishte ndikimi që do të ketë në tokën bujqësore instalimi i impianteve eolike. I pari që kundërshtoi ishte deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i cili u shpreh se këto impiante kërkojnë shpim të tokës dhe vendosjen e një platforme të madhe betoni, që do të dëmtonte tokën.
“Që të vësh një kullë për ‘wind farm’, është 100 metra e lartë dhe nuk ka shans të vendoset pa strukturë betoni. Bëhet fjalë për kulla shumë të larta. Nuk jam i bindur me shpjegimet tuaja”, u shpreh Gjiknuri mes të tjerash.
Debati vijoi edhe në momentin e fundit të votimit të komplet projektligjit, ku Strazimiri kërkoi të vazhdonte me pyetjet mbi paqartësitë, por u kundërshtua nga kryetari Manja. Ky i fundit u përplas edhe me Gjiknurin dhe pas një debati, ky i fundit la mbledhjen.
DEBATET NË KOMISION
Strazimiri: Po unë s’kam mbaruar gjimnazin bujqësor. Kam pyetje për ty
Manja: Në rregull, e gjetët lepurin në ferrë ju të tre (Bylykbashi, Strazimiri dhe Gjiknuri)
Gjiknuri: Një sekondë, sepse nuk u sqaruam, më jep fjalën
Manja hedh për votim ligjin dhe e miraton, teksa votën e Gjiknurit e konsideron si abstenim
Gjiknuri: Do më jepni fjalën apo të largohem fare
Manja: Mund të ikësh, rri te abstenimi ti. Merru me Oerdin
Gjiknuri: Në rregull, po largohem



