Po të mos ishte ndërhyrja ruse, ndoshta sot Bashar al-Assad nuk do të drejtonte më Sirinë, ose të paktën atë që ka mbetur nga Siria e para konfliktit.
Moska vetë pranon se është angazhuar në këtë konflik me sulme ajore, që kanë shënjestruar bazat e atyre që ajo i quan terroristë, por që për perëndimin janë rebelët opozitarë anti-Assad.
Pak kohë më parë, Vladimir Putin, pasi deklaroi fitoren ndaj “terroristëve”, deklaroi tërheqjen e trupave nga Siria, por duke shtuar se do të ruhet prania ruse në një bazë ajrore dhe në ujërat territoriale siriane.
Deri më tani nuk dihej se cili ishte numri i trupave ruse të angazhuara në terren, as i luftëanijeve, nëndetëseve dhe avionëve luftarakë të përfshirë në konfliktin sirian në krah të Assadit, pasi vetë Kremlini nuk publikon të tilla.
Megjithatë, në dhjetor u raportua për 48 mijë trupa ruse të përfshirë drejtpërdrejtë në luftime dhe 34 mijë operacione ajrore, mes bombardimeve dhe mbikëqyrjes nga ajri.
“Akti juaj heroik ndihmoi në ruajtjen e shtetit sirian, ndalimin e ekzekutimeve në masë dhe terrorit ndaj civilëve”, deklaroi Putin para qindra ushtarëve të tërhequr nga misionet në Siri.
Prania detare ruse në Mesdhe përbëhej nga tre nëndetëse të vogla, katër të mëdha dhe një luftëanije, ndërsa në ajër u angazhuan avionët e fjalës së fundit të teknologjisë ruse, si 14 Tupolevë TU-22M3s, 12 SU-24M2s dhe 12 helikopterë Mi-24P.
Së fundmi, raportohet se Vladimir Putin synon që të zhvendosë në Siri sistemet mbrojtëse antiajrore S300, që interpretohet si lëvizje për të ndalur sulmet ajrore amerikane.
Besohet se më shumë se 85 për qind e pilotëve rusë të angazhuar në misione dhe 90 për qind e trupave që luftuan në terren e kishin për herë të parë përvojën në një betejë reale, ndërsa u testuan më shumë se 200 armë të reja.