Deputetja që e kishte kundërshtuar për një kohë të gjatë, e që pak ditë para se të mbahet seanca për demarkacionin me Malin e Zi, ndryshoi votën dhe partinë, ka uruar për rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave.
Donika Kadaj-Bujupi, ish-deputetja e Vetëvendosjes, që tani është pjesë e AAK-së, aty ku kishte nisur karrierën politike, ka uruar qytetarët e Kosovës për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
“Sot, po merr fund vonesa e padrejtë ndaj Kosovës, e cila e vetmja në rajon pati si kusht edhe demarkacion të kufirit për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në Facebook.
“Sot po vërtetohet se rezistenca ndaj kushtëzimeve të padrejta dhe marrëveshjeve të gabuara ishte e drejtë dhe e duhur. Me liri të lëvizjes në shtetet e Bashkimit Europian dhe me mundësi përmirësimi të marrëveshjes së demarkacionit”, ka shkruar tutje ajo.