Kuvendi i Komunës së Prizrenit më në fund i është bindur Qeverisë së Kosovës dhe në seancën e fundit ka marrë vendim për shfuqizimin e aktit të miratuar në muajin shtator të vitit të kaluar mbi bartjen administrative të pronës së ish-Sekretariatit Federativ për Mbrojtje Popullore (ish-APJ-së) në prona publike komunale, shkruan sot Koha Ditore.
Organi më i lartë vendimmarrës lokal në muajin dhjetor pati refuzuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rishqyrtimin e këtij vendimi, me arsyetimin se kërkesa e nivelit qendror ka ardhur jashtë afatit ligjor dhe se nuk mbështetej në nenet në fuqi të Kushtetutës. Por, zyrtarët e lartë të pushtetit lokal tashti kanë theksuar se kanë marrë garanci nga Ekzekutivi i shtetit se këto prona do t’ju barten komunave.
Kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi, ka pohuar se bashkë me nënkryetarin e komunës, Lulzim Kabashi dhe drejtorin e Urbanizmit, Visar Islamaj kanë zhvilluar takime me Zyrën e Kryeministrit, ku edhe është bërë e ditur se “pronat e ish-APJ-së me vendim të Qeverisë së Kosovës do të barten në pronësi të komunave”.
“Meqë do të ketë edhe vendim të Qeverisë për këtë çështje kërkohet shfuqizimi i vendimit të KK-së së Prizrenit, sepse s’ka kuptim që të ketë dy vendime për të njëjtën gjë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se autoritetet lokale dhe Ekzekutivi qendror do të nënshkruajnë një marrëveshje për këto prona.