Moti i vranët dhe reshjet e shiut do të kaplojnë Shëqipërinë dhe vendet e rajonit këtë javë. Kushtet atmosferike do të favorizojnë transportimin e pluhurit afrikan në të gjithë territorin.
Sipas parashikimit, kjo do të bëjë që reshjet e shiu kombinuara me pluhurin afrikan të sjellin “baltë nga qielli”, një fenomen që nuk është i rrallë. Shpesh herë mund të kemi vërejtur ballkonet e shtëpisë ose makinat të mbuluara nga balta pas reshjeve të shiut.
Sakaq, meteorologu Hakil Osmani na njeh me parashikimin e motit për të gjithë javën. Këto ditë sipas Osmanit do të jenë të shoqëruara me vranësira dhe reshje shiu, ndryshe nga java e kaluar e cila na solli atmosferën e pranverës.
“Kjo javë do jetë në mbizotërimin e motit të vranët ku më dukshme vranësirat do të jenë gjatë pjesës së dytë të javës duke sjellë reshje shiu duke filluar nga orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë duke përfshirë deri fundjavën pritet të jemi nën ndikimin e vranësirave të shpeshta të cilat do të sjellin reshje shiu në një pjesë të mirë të territorit shqiptar ndërsa në zonat e thella malore pritet të kemi reshje dëbore. Sa i përket temperaturave deri të enjten do kemi rënie të lehtë duke bërë në maksimume të zbresin në vlerat 18 gradë. Në fundjavë temperaturat deri në 16 gradë celsius”, tha meteorologu.