Shifrat që dëshmojnë shfrenimin e deputetëve: Hargjojnë pa punuar

Kuvendi i Kosovës ka publikuar raportin financiar për shpenzimet e Kuvendit për tre muajt e parë të vitit 2018. Në bazë të këtij raporti, shpenzimet për këtë tremujor në krahasim me tre mujorin e parë të kësaj legjislature (tetor-dhjetor 2017) janë rritur për 20.933.28 euro, ose shprehur në përqindje 53 për qind. Në këtë raport mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve si dhe datat që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një vend të caktuar. Ndërsa KDI konsideron që Kuvendi duhet të tregojë kujdes të shtuar në menaxhimin e parasë publike.
Në tre muajt e parë të këtij viti, nga 120 deputetë të Kuvendit, 50 prej tyre kanë realizuar udhëtime zyrtare jashtë vendit. Në total, deputetët për këtë periudhë kohore kanë realizuar 74 udhëtime jashtë vendit, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 60.380.27 euro.

Pjesa më e madhe e buxhetit është shpenzuar për mëditje dhe akomodim: 21,205.91€ për mëditje respektivisht 19,239.9 € për akomodim. Ndërkaq, 18,558.47 € janë shpenzuar për bileta të udhëtimit në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 1,376 € për shpenzime të tjera për të cilat nuk janë ofruar të dhëna specifike se për çka janë shpenzuar.

Shpenzime të larta janë realizuar nga ana e Kuvendit edhe për dreka zyrtare. Për tre muaj, deputetët e Kuvendit kanë shpenzuar 14,924.00€ për dreka zyrtare. Kurse, 11,754.51€ janë shpenzuar për karburante për vetura.

Në raportin e publikuar mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit dhe datat që tregojnë se sa kanë qëndruar deputetët në një udhëtim të caktuar. Mos publikimi i raportit të detajuar të shpenzimeve na kufizon në vlerësimin e menaxhimit të buxhetit nga ana e Kuvendit.

Ndërsa për gjithë këto shpenzime, ka reaguar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke konsideruar që Kuvendi i Kosovës duhet të tregoj kujdes të shtuar në menaxhimin e parasë publike, dhe të mos krijojë shpenzime të panevojshme.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht në përmbushjen e funksioneve parësore të Kuvendit, duke përfaqësuar denjësisht qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe duke garantuar mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit. Shpenzimet e panevojshme nga ana e Kuvendit do të ndikojnë negativisht në perceptimin e punës së Kuvendit nga ana e qytetarëve dhe mund të krijoj imazh negativ për deputetët dhe punën e tyre”, thuhet në një postim të KDI’së në Facebook.

Deputetët kanë rritur shpenzimet, ndonëse këtë nuk e kompensojnë aspak me punën në Kuvend. Edhe pse në shumicën e kohës Kuvendi s’mund të kalojë as ligje për shkak të mungeses flagrante të ligjvënëse, të njëjtit kanë rritur shpenzimet e tyre./GazetaExpress

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme