Beogradi po e shqyrton mundësinë e ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit për shkak të taksës së vendosur për mallrat serbe nga ana e Prishtinës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kosova ka vendosur taksën prej 100 për qind për mallrat me origjinë serbe dhe boshnjake.
Opsioni për ankesë në Arbitrazh, është në tryezë që prej 25 shkurtit, prej kohës kur kanë kaluar 90 ditë që nga dita kur Qeveria Serbe i ka dërguar një kërkesë zyrtare Sekretariatit të CEFTA-s për të mbajtur konsultime të drejtpërdrejta brenda Komitetit të Përbashkët. Në kohën e paraqitjes së kërkesës, kryeministrja Ana Brnabiq njoftoi fillimin e procedurës para dërgimit në gjykatën e arbitrazhit, përveç nëse problemi nuk zgjidhet brenda tre muajve.
Prandaj, sipas informacionit të gazetës “Novosti”, përveç ekspertëve ligjorë vendorë, janë konsultuar edhe ekspertë të huaj, në rast se do të vendoset që zgjidhja të gjendet përmes Gjykatës së Arbitrazhit.
Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duke thënë se “Qeveria po zhvillon bisedime për angazhimin e zyrës ligjore në rastin e arbitrazhit për shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s nga Prishtina”, raporton “Novosti”, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Kosova është pjesë e Gjykatës së Përhershme së Arbitrazhit që nga viti 2016.