Shkalla e papunësisë në Kosovë ka shënuar rritje. Derisa në vitin 2016 norma e papunësisë ishte 27.5 për qind, në vitin 2017 ishte 30.5 për qind.
Pra, krahasuar me vitin 2016, në vitin 2017 kemi rritje të shkallës së papunësisë me 3 për qind.
Me gjithë këtë normë të papunësisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), dy të tretat e popullsisë në vend janë të gatshëm për punë.
Sipas të dhënave të ASK-së, të publikuar në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP), viti 2017”, vetëm 42.8 për qind e personave të aftë për punë janë të përfshirë në fuqinë punëtore.
“Nga 42.8 për qind e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 30.5 për qind apo 156,583 persona janë të papunë. Kjo do të thotë se 69.5 për qind apo 357,095 e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë, apo shkalla e punësimit, prej 29.8 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, shkruan Telegrafi.
Sipas këtij raporti, në Kosovë ka pasur 156,583 persona të grup-moshës 15-64 vjeç që ishin të papunë, 113,070 nga të cilët ishin meshkuj dhe 43,513 femra, ku shkalla e papunësisë ishte 30.5 për qind, më e lartë tek femrat me 36.6 për qind se sa te meshkuj.
Krahasuar me raportin e vitit 2016, në Kosovë ka pasur rritje të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore me 4.1 për qind, ku kjo rritje te meshkujt ishte 7 për qind, përderisa te femrat ishte vetëm 1.4 për qind.
Shkalla e papunësisë krahasuar me vitin 2016, rezulton të ketë shënuar rritje, veçanërisht tek të rinjtë apo grup-mosha 15-24 vjeç. Në vitin 2017, të rinjtë kishin dy herë më shumë gjasa të jenë të papunë krahasuar me të rriturit, përderisa rreth 52.7 për qind e popullsisë së re ishte e papunë. Të rinjtë e kësaj grup-moshe që ishin të papunë për vitin 2017 përbëjnë 27.4 për qind të të papunëve në papunësinë e përgjithshme.
Në baza gjinore, tregu i punës vazhdon të karakterizohet me një shkallë të lartë të papunësisë sidomos te femrat.
Në vitin 2017, shkalla e papunësisë te femrat ishte 36.6 për qind dhe 28.7 për qind tek meshkujt, përderisa sipas grup-moshave janë femrat e reja që kanë shkallën më të lartë të papunësisë me rreth 65.3 për qind. Përqindja e femrave të reja të papuna, grup-mosha 15-24 vjeç, në papunësinë e përgjithshme ishte 31.4 për qind në vitin 2017 dhe 23.8 për qind tek meshkujt me grup-moshën e njëjtë.
Në vitin 2017, të rinjtë në Kosovë, kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit.
Edukimi ka përmirësuar perspektivat në tregun e punës në Kosovë.
Sipas ASK-së për vitin 2017, shkalla e papunësisë ishte më e lartë për personat e pashkolluar me rreth 59.7 për qind, ndërsa të gjithë ata që kishin të përfunduar arsimin universitar përbëjnë vetëm 19 për qind të të papunëve.
Mirëpo, në tregun e punë në Kosovë, shqetësues mbetet edhe karakteri afatgjatë i papunësisë.
Gjatë vitit 2017 është evidentuar një rritje e shkallës së papunësisë afatgjatë me 71.5 për qind, ku në vitin 2016 ishte 65.5 për qind.
94,815 të rinj të grup-moshës 15-24 gjatë vitit 2017 nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe 31.4 për qind ishin femra, krahasuar me 23.8 për qind që ishin meshkuj.