Gazetare: Ajnur Bafqari
Shkarkimi i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor të bëhet në mënyrë publike dhe në asnjë rast opinioni të mos jetë i përjashtuar. Vendimi për shkarkim të miratohet me më së paku 8 vota nga 15 anëtarët, ndërsa procedurën për shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit mund ta marrin së paku 4 anëtarë. Ky është vetëm një prej ndryshimeve që parashihet në propozim ligjin ri të Këshillit Gjyqësor, i cili u publikua në ENER, ndërsa pret mendimin e Komisionit të Venecias. Kreu i Këshillit Aleksandar Kambovski, thotë se me këto ndryshime, Këshilli pajtohet pjesërisht, duke mos saktësuar se me cilat nuk pajtohen.
“Normalisht me një pjesë të atyre zgjidhjeve jemi pajtuar me një pjesë nuk jemi pajtuar, kemi dhënë edhe propozimet tona. Cili do të jetë epilogu i ligjit do ta shohim. Ajo është temë më e zgjeruar, duhet më shumë kohë të flitet për të, si dhe ta kem ligjin para meje tani“, deklaroi Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Në tekstin e propozuar nga grupi i punës, parashihet po ashtu edhe saktësimi i kushteve që duhet t’i plotësojnë kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, veçanërisht me sqarimin e termit “jurist i shquar” dhe kualifikimet e nevojshme që duhet t’i posedojnë kandidatët. Sipas propozim ligjit, anëtarët që nuk janë nga radhët e gjykatësve, duhet të jenë të diplomuar në drejtësi me më së paku 15 vite përvojë pune pasi ta kenë kaluar provimin e jurisprudencës, ose të jenë profesorë universitarë me më së paku 7 vite.
“Lidhur me ‘juristin e shquar’ mendoj se do të ketë kritere më të qarta, të cilat personi që pretendon ta ketë atë status, duhet t’i posedojë. Kjo është e lidhur me vitet e përvojës që i ka, reputacionin që e ka në fushën që e punon, rekomandimet që i merr nga kolegët dhe të ngjashme”, shtoi Aleksandar Kambovski, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, duke pasur parasysh përmasat e ndryshimeve krahasuar me ligjin aktual, parashihen ndryshime në dy të tretat e tekstit. /Alsat.mk