Shkelje të shumta në tenderët e Ministrisë së Infrastrukturës

Auditori ka gjetur disa tenderë të dyshimtë të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës, në të cilat është vërejtur se ka pasur mos-zbatim të kontrolleve ligjore, udhëzimeve dhe rregulloreve të prokurimit publik.

Te tenderi “Furnizim me veshmbathje verore dhe dimërore” në vlerë 8 mijë e 430 euro fituesi nuk kishte ofruar vërtetimin tatimor dhe vërtetimin nga gjykata.

Madje raporti i vlerësimit të tenderëve nuk ishte nënshkruar nga udhëheqësi i prokurimit, dhe cilësia e furnizimeve ishte kontestuar nga njëri prej anëtarëve të komisionit, raporton lajmi.net.

Edhe te tenderi “Shërbime gjeodezike për përpilimin e elaborateve në shpronësimin për rrugët nacionale, magjistrale dhe regjionale të Kosovë” në vlerë prej 90 mijë euro, janë gjetur shkelje elementare.

“Te procedura e prokurimit “Shërbime gjeodezike për përpilimin e elaborateve në shpronësimin për rrugët nacionale, magjistrale dhe regjionale të Kosovës” në vlerë të parashikuar prej 90,000€, fituesi i tenderit nuk kishte përmbushur kriteret e dosjes së tenderit. OE fitues nuk kishte ofruar vërtetimin tatimor, vërtetimin nga gjykata dhe as dëshmi të mjaftueshme për kontratat, përvojën e personelit, licencën dhe diplomën e menaxherit të projektit. Për më tepër, çmimi i ofertës ishte 48.97€ që paraqet një çmim jo normalisht të ulët në krahasim me ofertat tjera ku çmimi varionte nga 258.56€ deri 564.04€ ndërsa çmimi i parashikuar nga njësia kërkuese ishte 698.68€. MI nuk kishte zbatuar kërkesat ligjore për rastet e tilla dhe nuk na ka ofruar ndonjë shpjegim lidhur me këtë situatë. Po ashtu menaxheri i kontratës ishte caktuar me një (1) muaj vonesë, ndërsa PMK ishte nënshkruar një (1) muaj pas caktimit të menaxherit”, ka gjetur Auditori në MI.

Shkelje ka pasur edhe në raste tjera. Te tenderi “Marrja e 16 veturave me qira për nevojat e MI-së” në velrë prej 79 mijë e 104 euro, anëtar i komisionit të vlerësimit ishte edhe zyrtar që ishte përfshirë në përgatitjen e specifikave teknike, madje edhe në këtë rast raporti i vlerësimit të tenderit nuk ishte nënshkruar nga menaxheri i prokurimit.

Auditori ka gjetur se edhe në disa tenderë tjerë ka pasur shkelje të cilat janë evidentuar në raportin vjetor.

“Te procedura e prokurimit “Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve – Lot- 1”, me çmimin për njësi 11,323€, anëtar i komisionit të vlerësimit ishte zyrtari që ishte përfshirë në përgatitjen e specifikacionit teknik të dosjes së tenderit; dhe  Kontrata “Servisimi i kompjuterëve dhe llaptopëve” në vlerë 9,998€ ishte· nënshkruar me tre (3) muaj vonesë dhe sigurimi i ekzekutimit nuk kishte mbuluar periudhën e kontratës. Gjithashtu në këtë lëndë mungonte zotimi i mjeteve, letër informimi për tenderuesit e pasuksesshëm, njoftimi për nënshkrim të kontratës, PMK si dhe nënshkrimi i deklaratës nën betim nga njëri prej anëtarëve të komisionit të vlerësimit”, thuhet në raport.

Më mirë nuk kanë qenë as tenderët për ndërtimin e rrugëve, ku është gjetur se në disa raste përfituesit e tenderëve nuk kanë ploëtsuar kriteret, dhe janë evidentuar edhe shkelje tjera gjatë procedurave.

“Te procedura e prokurimit “Ndërtimi i rrugës Prelez i Jerlive – Muhovc – Lloshkobare – Ferizaj” në vlerë 689,454€, OE fitues nuk kishte përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit. OE nuk kishte ofruar vërtetimin nga gjykata, ndërsa vërtetimi tatimor përveç që ishte jo valid (me afat të skaduar) dëshmonte se biznesi kishte borxhe të pa paguara. Vërtetim jo valid kishte ofruar edhe OE fitues i kontratës “Zgjerimi i rrugës N25 Suharekë-Korishë” në vlerë 689,454€”

“Për kontratën “Rehabilitimin e Rrugës Kramovik-Xërxë” në vlerë 487,498€, siguria e ekzekutimit nuk ishte valide për periudhën e kërkuar. Ngjashëm, për kontratën “Asfaltimi i rrugës qe lidh fshatin Koshtovë me N2 Mitrovice” në vlerë 211,075€, siguria e ekzekutimit nuk kishte përfshirë edhe periudhën 30 ditëshe pas përfundimit të kontratës”

“MI kishte nënshkruar kontratë për projektin “Asfaltimi i rrugës Dol– Kusar– Goden-faza e dytë”, në vlerë 799,650€, përkundër faktit që me deklaratën e disponueshmërisë së fondeve shuma e ndarë buxhetore për vitin 2016 ishte e dedikuar për përmbushjen e obligimeve të mbetura nga një kontratë tjetër për fazën e parë të këtij projekti”, specifikohet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Infrastrukturës.

Madje Ministria në fjalë nuk ka ofruar informacione të plota për auditim.

Ata kanë pasur dosje të pakompletuara për kontratat e asfaltimit të rrugës Dol-Kusar-Gogen-Gjakovë, marrjen e 16 veturave me qira, servisimin e automjeteve të MI-së, dhe për mirëmbajtjen e kompjuterëve dhe llaptopëve.

Kontrata të cilat kapin vlerën e qindra-mijëra eurove para të thata.

Shkelje tjera janë edhe menaxhimi jo i mirë i llogarive të arkëtueshme dhe menaxhimi jo i mirë i obligimeve. /Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme