Gazetare: Melihate Rustemi
Ajani dhe Fetahu janë ndër fëmijët e parë që u regjistruan në klasë të parë në shkollën e re fillore të Vizbegu që me punë do të nis këtë vit shkollor, shkruan Alsat.
Pavarësisht shkronjave dhe numrave që kishin mësuar, ata morën edhe pesëshen e parë për testin e kaluar.
“Unë sot erdha në shkollë, u regjistrova në klasën e parë dhe mora pesë. A di ndonjë vjershë ose shkronjë? A, b, c, ç, d, dh,ë. Cilat numra I di? 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10”, tha një fëmijë.
“Kam ardh në shkollë mu regjistru klasa e parë. Shkollën e kemi afër, është shumë e bukur”, u shpreh një fëmijë.
Regjistrimi i nxënësve në klasë të parë do të vazhdojë deri më 31 maj dhe pjesa tjetër gjatë muajit gusht.
Kreu i Komunës së Butelit Darko Kostovski tha për Alsat se pas formimit të Qeverisë së re priten vendimet e punës për kuadrin mësimor.
“Deri në këto momente janë regjistruar 10 fëmijë. Fillimisht, në shtator do të nisim me mësim nga klasa e parë deri atë të pestë. Pastaj, varësisht dinamikës dhe kërkesës do të funnksionojnë paralelet deri në klasën e 9. Në Ministrinë e Arsimit tashmë kemi dorëzuar kërkesa për numrin e vendeve të punës që janë të nevojshme për këtë shkollë. Shpresojmë që pas formimit të Qeverisë dhe ardhjes së ministrit të ri të miratohen të gjitha këto kërkesa që fëmijët e Vizbegut pa ndërprerje ta realizojnë procesin mësimor”, tha Darko Kostovski, kryetar i Komunës Butel.
Kostovski tha se për nxënësit nga klasa e gjashtë deri atë të nëntë që do të vazhdojnë të mësojnë në shkollat ku tashmë ndjekin mësimet do të shqyrtohet mundësia e organizimit të ndonjë forme të transportit./ Alsat.mk