Shkolla me dyer të mbyllura ku ruhet historia

2017 – Nuk i zihet vendi vend, teksa sillet vërdallë, e nuk di se si ta nisë muhabetin. Përcjell çdo hap të fotografit të “Kohës Ditore”, që endej gjithandej për të kapur pamjet më të mira të një monumenti të braktisur. Është ish objekti i Shkollës së Parë Shqipe në qytetin e Ferizajt, një objekt i ndërtuar në fund të dekadës së tretë të shekullit XX.

Më në fund flet, në formë pyetëse e me ton paksa të ngritur të zërit: “Çka po bëni?”

Tek pasi i tregohet arsyeja se pse ekipi i gazetës është aty, burri rreth të dyzetave nis të qetësohet. Edhe të ankohet.

“Shteti nuk mund të kujdeset për këto objekte. Ky duhet ose t’i jepet në shfrytëzim privatit ose të rrënohet. Përndryshe telashe na bëjnë njerëzit e huaj që vijnë këtu”, thotë fqinji i parë i objektit të braktisur, që nuk do që t’i përmendet emri në gazetë. Thirrja e tij është e qartë. Objekti, në rastin më të mirë do të duhej rrënuar, e aty të bëhet park i kontrollueshëm nga qeveria komunale.

Dy pllaka si dëshmi

Përballë saj, pllaka tjetër, që është e zezë, me shkronja të bardha mbart gjithë emrat e, siç shkruan aty, “arsimtarëve që kanë punuar në Gjimnazin Shqiptar të Shtetit në Ferizaj në vitet 1946-1955”. Janë gjithsej 25 emra.

Thirrja për shkollë me muzikë

Më mirë se kaq historinë e tregojnë dokumentet, librat e Qemal Ratkoceri dhe Ruzhdi Marevci bashkë kanë bërë një monografi për “Shkollat në Komunën e Ferizajt”. Këtë titull ia kanë lënë librit, ku flitet edhe për historikun e shkollës, e cila së voni do të njihej me emrin e rilindësit Jeronim de Rada.

“Shkolla fillore ‘Jeronim de Rada’ është shkolla e parë tetëvjeçare në Ferizaj, e formuar në vitin shkollor 1955-56. Shkolla në këtë kohë kishte 586 nxënës, të shpërndarë në 9 paralele të ulëta, 8 të klasave të larta dhe 1 paralele të mësimit parafillor. Kishte 22 mësimdhënës”, thuhet në monografi. “Formimit të shkollës së plotë fillore i ka paraprirë viti shkollor 1941-42, ku për herë të parë kalohet nga mësimi në gjuhën serbokroate në atë shqipe. Mësuesi i parë ka qenë Shaban Shaqiri (Vata)”, thuhet më tej në monografinë e Retkocerit dhe Marevcit.

Por aty tregohet edhe një histori interesante.

“Ishte interesant mënyra e grumbullimit të fëmijëve për shkollë, sepse mësuesi Shaban Shaqiri i siguroi disa muzikantë, me të cilët del në rrugë për të mbledhur fëmijë që të regjistroheshin në shkollë. Pasdefilimit kthehet në oborr me ç’rast 100 fëmijë, prej tyre 8-10 vajza, të cilët i shpërndan nëpër klasë, në ndërtesën që ne e njohim me ish-Gjimnazi i Ulët Shqiptar”.

Libra për historinë e shkollave ka shkruar edhe Ibrahim Hyseni, që ishte në gjeneratën e parë të kësaj shkolle, në vitin 1941. Për mësues kishte Shaban Vatën, siç i thotë ai. Tregonte për sfidat me të cilat ballafaqohej atë kohë ky mësues, që po çonte në vend misionin e ministrit të Arsimit të Shqipërisë të asaj kohe, Ernest Koliqi. E në atë kohë shkolla quhej “Ismail Qemali”.

“Shumë prindër në atë kohë kanë hezitu t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke menduar se për fëmijët myslimanë shkollë është vetëm Mejtepi i turkut, dhe nëse shkon në shkollë e prish fenë e bëhet shka’. Në Ferizaj, duke iu falënderuar Shaban Vatës, i cili ka qenë edhe hoxhë, u ka shpjeguar shqiptarëve që nëse shkon në shkollë fëmija nuk bëhet serb, e as nuk e prish fenë. Njerëzit i kanë besuar atij dhe kanë thënë se ka të drejtë. Madje kanë qenë edhe disa vajza”, rrëfente Hyseni.

E kujtonte edhe ditën e parë të shkollës, ani pse jo edhe datën.

“Mua më kujtohet dita e parë e shkollës, kur na ka tubuar mësuesi i parë shqiptar Shaban Vata, në oborrin e kësaj shkolle, dhe ka bërë klasifikimin e nxënësve sipas klasave që kemi kryer në kohën e Jugosllavisë së vjetër dhe na ka futur brenda. Data nuk më kujtohet, por më vonë unë e kam zbuluar nëpërmjet një dokumenti, një dëftesë shkollore që ruhet në Arkivin e Kosovës, ku mbrapa shihen semestrat e shkollës dhe se dita e parë e shkollës figuron 27 nëntori i vitit 1941”, thoshte ai.

Dëftesa nga Mbretëria Shqiptare

Përmes dokumentit shpërfaq edhe një tjetër histori. Dëftesa është lëshuar nga Mbretëria Shqiptare. “Shkruan Mbretëria Shqiptare, por mbreti ka qenë italian. Në atë kohë, si nxënës, më kujtohet se si mësueset na mësonin se Vittorio Emanuele III është mbret i Italisë, Shqipërisë dhe Abisinisë”, thoshte Hyseni.

Hyseni tregonte se “shkolla fillore ‘Ismail Qemajli’ në këtë ndërtesë ka punuar 2-3 vjet”.

“Pastaj e mori ushtria italiane e neve na transferuan në një shtëpi private”.

Prej vitit 1945 thotë se do të kalonin në një tjetër ndërtesë, atë që më vonë do të jetë shkolla “Tefik Çanga”. Ajo ishte një godinë e ndërtuar në vitin 1923. Atë, sipas Hysenit, gjermanët e kishin kthyer në spital gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. “Më pas shkolla fillore ‘Tefik Çanga’ për 65 vjet ka punuar në atë shkollë. Ajo ndërtesë për fat të keq është rrënuar”, thoshte Hyseni. E rrënimi edhe i kësaj godine nuk është thjesht dëshirë e banorit komshi që po i pengon pse oborri i saj po keqpërdoret e shteti s’po mund t’i dalë zot pasurisë së vet. Rrënimi i këtij objekti është edhe çështje diskutimi në Ferizaj. Me gjasë, më shumë ka të interesuar për të “mbirë” aty një kompleks të ri banesash sesa për të ruajtur historinë e traditën.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme