Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyçi, ka deklaruar se shkollat serbe ende vazhdojnë të aplikojnë sistemin e Republikës së Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, por gjithashtu vazhdojnë të mos raportojnë në MASHT
Bytyçi duke iu përgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, tha se në dokumente bëhen përpjekje për integrime të komuniteteve, por fatkeqësisht shkollat serbe ende mësojnë me sistemin e Serbisë. “Deri më tani fatkeqësisht të gjitha shkollat që mësojnë në gjuhën serbe, vazhdojnë të aplikojnë sistemin e Republikës së Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës. Aktualisht çka ne kemi bërë është ngarkuar zëvendësministri, Bajrush Cezari për t’u marrë me çështjen e komuniteteve, veçanërisht me shkollat që nuk janë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovë. Ai është duke bërë një punë me terren, ka filluar nga pjesa jugore sepse edhe në pjesën jugore kemi shkolla që nuk janë të integruara në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës, për të parë se cila janë pengesat dhe mundësit që pastaj bashkë me partnerët ndërkombëtar të gjejmë mënyrën e integrimit në sistemin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, asnjë shkollë e cila mëson në gjuhën serbe nuk raporton në Ministrinë e Arsimit “, tha ai.
Ndërsa, deputeti Kurteshi pyeti ministrin edhe për tekstet shkollore që janë në kundërshtim me Kushtetutën ku për shqiptarët flitet në mënyrën më te keqe të mundshme. Kurse, ministri Bytyçi tha se kjo çështje duhet të kalojë në komision shtetëror që duhet të merren me çështjen e teksteve dhe integrimit. Seanca vazhdoi me pyetjen për ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha, i cili tha se aktualisht janë të pajisur me armatim personal dhe kolektiv, të cilin ia mundëson ligji. Kurse, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, tha se së shpejti do ta kenë një rregullore për njerëzit e artit dhe kulturës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se me të marrë këtë pozitë ka nisur reformat sociale, duke identifikuar mangësitë në disa drejtime dhe shpreson që brenda këtij viti do të ndërmarrin hapat e nevojshëm si për pensionet ashtu edhe për fushat tjera që janë nën menaxhimin e tyre.
Ndërkohë, deputet janë pajtuar që në rend dite të hyjë edhe ratifikimi i anëtarëve të këshillit shtetëror të cilësisë, megjithatë për shkak të mungesës së kuorumit, seanca është ndërprerë deri në orën 15:00.