Në orët e para të 1 nëntorit, ekipet e shpëtimit kanë arritur që të shpëtojnë një burrë 70 vjeç, i cili ishte i bllokuar në rrënojat e një ndërtese në Izmir të Turqisë, teksa numri i viktimave ka arritur në 51.
Shpëtimi i këtij personi ka rritur shpresat që mund të shpëtohen persona të tjerë që mund të jenë të bllokuar në gërmadha, dy ditë pasi një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë dhe Greqinë.
Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se burri 70 vjeç, i identifikuar si Ahmet Citim, asnjëherë “nuk humbi shpresat” që do të shpëtohej.
Autoritetet turke thanë se 49 persona kanë vdekur në qytetin e Izmirit, ndërkaq dy adoleshentë kanë vdekur në ishullin grek, Samos.
Të shtunën, ambasada e Kosovës në Ankara njoftoi se dy persona me origjinë nga Kosova, janë në mesin e viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi Detin Egje më 30 tetor.
Autoritetet thanë se 20 ndërtesa në Izmir janë rrëzuar për shkak të tërmetit, kryesisht në qarkun Bayrakli, ku ndërtesat janë të ndërtuara duke mos ndjekur protokollet për qëndrueshmëri ndaj tërmeteve.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka njoftuar se 885 persona janë plagosur nga tërmeti, ku 15 prej tyre janë në gjendje kritike.
Operacionet e shpëtimit do të vazhdojnë edhe të dielën në Izmir – qytetin e tretë më të madh në Turqi.
Turqia dhe Greqia, që së fundmi kanë pasur rritje të tensioneve, por pas tërmetit kanë shprehur solidaritetin me njëra-tjetrën.
Tërmetet në Greqi dhe Turqi janë të zakonshme dhe autoritetet turke njoftuan se pas tërmetit të 30 tetorit, kanë regjistruar edhe qindra lëkundje të tjera të tokës.
Ndërkaq, vitin e kaluar, një tërmet i fuqishëm goditi kryeqytetin grek, Athinën.
Më 1999, një tërmet i fuqishëm që goditi qytetin turk të Izmirit, vrau rreth 17,000 persona.